Katër aktivistët e VV’së të dënuar për terrorizëm pritet të rigjykohen për sulmin me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës, 4 gushtin e vitit 2016. Burime të Express tregojnë se Gjykata e Apelit ka kthyer rastin në piken zero, duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës që dënoi aktivistet me 21 vite e gjysmë burgim.
Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti të hënën janë liruar nga paraburgimi. Të tre këta të dënuar për terrorizëm, së bashku me Adea Batushen, do të rigjykohen për hedhje me zollë të Kuvendit të Kosovës, gati dy vite më parë.
Gazeta Express, merr vesh me burime nga Gjykata e Apleit, se rasti i katër aktivistëve të VV’së do të kthehet në rigjykim. Vendimi i Apelit pritet të publikohet brenda pak ditësh, përmes aktgjykimit të shkallës së dytë.
Deputeti Frashër Krasniqi dhe tre aktivistë tjerë të VV’së u dënuan në nëntor të vitit të shkuar më 21 vite e gjysmë burgim për terrorizëm. Ndaj Krasniqit, Gjykata Themelore e Prishtinës shqiptoi 8 vite burgim, Atdhe Arifit 6 vite, Egzon Halitit 5 vite e gjysmë, ndërsa Adea Batusha u dënua me 2 vjet burgim.
Tre të parët deri më sot janë mbajtur në paraburgim për shkak të lartësisë së dënimit me mbi 5 vite burgim, ndërsa Batusha ndodhet në liri deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit. /GazetaExpress/.
















