Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka rishpallur konkursin e anuluar vitin e kaluar për pranimin e 70 zyrtarëve korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.
Drejtues të SHKK-së, institucion ky që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, thonë se konkursi i ri është hapur pasi janë siguruar mjetet për të punësuar staf të ri për të cilin, siç thonë, kanë shumë nevojë, shkruan sot Koha Ditore.
Megjithatë, një gjë të tillë nuk e kishin bërë herën e kaluar. Kjo pasi konkursi i shpallur në prill të 2017-s pothuajse në përfundim të procedurave të përzgjedhjes ishte anuluar në mungesë të mjeteve buxhetore.
Shkaku i kësaj rreth 5 mijë personave që kishin aplikuar iu ishte shuar “ëndrra” për një vend pune.
















