Në bazë të rekomandimit të Komisionit për Hartimin e Planit të Veprimit për procesin e bartjes së kompetencave publike nga Ministria e Shëndetësisë tek Oda e Mjekëve të Kosovës, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nxjerr vendimin me të cilin është bërë bartja formale e kompetencës së mbikëqyrjes etike dhe profesionale tek organet kompetente të OMK-së.
Sipas njoftimit publik, “me bartjen e kompetencës së mbikëqyrjes etike dhe profesionale fillon vetërregullimi i komunitetit mjekësor, që nënkupton ngritje e ndërgjegjshmërisë ndaj pacientëve dhe përgjegjësi profesionale nga doktorët e mjekësisë”.
“Kjo mbikëqyrje është edhe në shërbim të ruajtjes së integritetit profesional dhe etik të mjekut karshi tendencave komprometuese”, thuhet në njoftimin e Odës së Mjekëve të Kosovës, teksa e falënderojnë ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, për angazhimin e tij për të përmirësuar sistemin shëndetësor, duke u fokusuar edhe në funksionalizimin e plotë të Odës së Mjekëve.
Koha Ditore kishte shkruar vazhdimisht për rëndësinë e këtij procesi, të cilin po e mbante të bllokuar MSH-ja që prej vitit 2013. Kjo i hap rrugë shqyrtimit të ankesave të pacientëve nga ekspertët e Odës së Mjekëve të Kosovës dhe trajtimit të lëndëve në Gjykata.
Deri tani në Ministrinë e Shëndetësisë kanë ekzistuar tri instanca për trajtimin e ankesave të pacientëve. Bordi Etik, Linja e Ankesave dhe Inspektorati Shëndetësor të cilat përkundër ankesave të shumta të pranuara nuk kanë arritur t’i ndëshkojnë mjekët që ua kanë shkelur të drejtat e pacientëve ose i kanë trajtuar në mënyrë joprofesionale. Që nga paslufta nga këto instanca nuk i është pezulluar licenca pothuajse asnjë personi përveç atyre që janë dënuar nga Gjykata.
Përveç në MSH, edhe në QKUK kanë ekzistuar tri komisione të brendshme por që siç ka raportuar Koha Ditore javë me parë shumica e ankesave nuk kanë marr përgjigje.
Oda e Mjekëve funksionon si institucion i pavarur, dhe mandat i saj kryesor do të jetë trajtimi i ankesave të pacientëve brenda një afati të caktuar ligjor./koha.net/



















