Seancë e jashtëzakonshme për Demarkacionin

E publikuar: 22/02/2018 08:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të bëhet Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Kështu ka vendosur dje kryesia e Kuvendit në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare pas kërkesës së qeverisë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, të plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës Hashim Thaçi dhe Malit të Zi Filip Vujanoviq.

Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

Që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, duhen 80 vota nga 120 deputetë, sa i ka Parlamenti i Kosovës.

Ratifikimi i marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi është kusht për Kosovën në mënyrë që Komisioni Evropian t’ia heqë regjimin e vizave.

Kosova është vendi i vetëm në Evropë që akoma ka regjim vizash për lëvizje në zonën Shengen./lajmi.net/