Nga Edon Buca
Brez pas brezi u sakrifikuam ta bëjmë Kosovën të pavarur e të lirë nga shteti barbar Serb. Shkuan shumë gjenerata duke u përpjekur e shumë njerëz u përballën me persekutime, burgosje dhe tortura të rënda. Shumë ranë deshmorë për të mos vdekur kurrë. Por vetëm pas gjithë atyre përjetimeve e asaj lufte çnjerëzore që u bë ndaj popullit tone me të vetmin qëllim për të zhdukur qënjen shqipëtare. Ku u lanë mbi dhjetëmijë civilë të vrarë, qindra-mijëra të tjerë të plagosur, shumë nëna e motra të dhunuara dhe aq shumë dëme material, saqë ishin pothuajse të papërballueshme për popullin tonë të varfër, që ishin arritur me aq mund.
Më në fund, pas luftës së lavdishme të UÇK-së dhe me përkrahjen gjithëpopullore, bashkë edhe me disa miq ndërkombëtarë, u jetësua ëndrra jonë shekullore; makineria famëkeqe ushtarako-policore serbe u largua nga trevat tona shekullore dhe përfundimisht erdhi dita që edhe ne ta ndjejmë veten të lirë për të jetuar, punuar e arsimuar.
Me të drejtë prisnim një fillim të mbarë. meqë çmimin për lirinë e paguam me gjak, por ëndrra jonë e merituar filloi të zbehet dita-ditës. Ndaj nesh filluan të aplikohen metoda të padrejta, eksperimentale. Metoda të cilat, prijësit tanë të kohës, i miratonin me lehtesinë më të madhe dhe me një optimizëm naiv e qesharak. U desh një kohë e gjatë ta realizonim ëndrrën e pavarsisë, një e drejtë të cilën na e mohuan padrejtësisht ndër shekuj. Në anën tjetër Serbia nuk gjeti asnjëherë kurajon per t’i kerkuar falje popullit shqipëtar për të gjitha ato dëme që i kishte shkaktuar aparati shtetëror serb, përkundrazi, përdori të gjithë mekanizmat e saj, pa as edhe një të drejtë morale e juridike, për të krijuar struktura paralele për ta bërë tashmë jofunksionale jetën e atyre që dikur i vrau, i masakroi e i shkaterroi. Këtë herë me bekimin dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar që u instalua, kinse për të mbrojtur të drejtat shoqërore e njerëzore në vendin tonë. Si rezultat i krejt këtyre zhvillimeve të padrejta ndodhi një revoltë e shumicës shqiptare, e cila ishte e shtypur nga të gjitha anët, ndodhën te ashtuquajturat “trazirat e marsit”.
Në vend që të kishte një reflektim pozitiv, prapë filluan kufizimet për të ardhmen tonë. U mbajtën konferenca për statusin final, gjithëherë në favor të serbisë, edhepse Serbia nuk kishte asnjë të drejtë për të ardhmen tonë. Si rezultat i atyre bisedimeve na servuan Pakon e Ahtisarit, me shumë mangësi e kufizime që do të krijonin dëme të mëdha e të parikuperueshme të cilat do të mernin shumë kohë dhe mund për t’i rregulluar. Populli, bashkë me disa figura te ndritura, e kundërshtuan pakon edhe përmes protestës popullor të 10 shkurtit, ku policia ndërkombëtare (rumune) vrau dy nga protestuesit dhe plagosi shumë të tjerë. Gjithë këto perpjekje rezultuan me një pavarësi të kushtëzuar, pasojat e së cilës po i mbartim edhe sot. Na imponuan himnin dhe flamurin me pretekstin që po lind një shtet i ri. Por harruan që themelet e atij shteti ishin hedhur mbi plagët, gjakun dhe mundin e një populli të një kombi që quhet SHQIPETAR. Popull që me shekuj valviti një flamur, atë të kuq me shqiponjën drykrenare në mes, e me një himn kombëtar, për të gjithë ata që ranë për liri e që synim final kishin bashkimin kombëtar. Prapë se prapë populli pranoi gjithëçka, kaperdiu gjithëçka që nuk e kishte kerkuar kurrë. Vit pas viti u pa që për ta asgjë nuk po ecte përpara, ndërsa për një pjesë të elitës politike pasuria po shtohej dita ditës e brenda natës. Populli e vuri re këtë, por ata ishin më të sofistikuar në fshehjen e qëllimeve të tyre, nën argumentin e sakrificës për shtetndërtim arsyetonin secilën hajni e secilin akt korrupsioni, madje na përgjëroheshin me përulësi që të bënim kujdes të veçantë në ruajtjen e imazhit.
Jua falën edhe hajninë edhe shkatërrimin sepse njerëzit besuan se kështu atyre u duhej dhënë fuqia që të paktën rë ruajmë atë pak sovranitet të cunguar që kishim.
Ja ku është edhe 10 vjetori! Ironikisht, mu në prag të kësaj ditë, doli kryeministri dhe presidenti për të na bindur se demerkacioni duhet të kalojë, pra, te hiqet dorë përsëri, të falet tokë, tokë për të cilën stërgjyshërit tanë dhanë jetën. Si peshqesh për 10 vjetor ata na e rikujtuan se armiku nuk është vetëm Serbia. E pra, qoftë e bekuar kjo dhuratë!
Gëzuar Kosovë, vendi im që nuk falet!