“Jemi në punë që Trepça me qenë e aftë për të operuar vet dhe me gjet partner investiv”
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se viti 1989 ishte një ngjarje e madhe që lëkundi drejtimin e proceseve të mëtejme, falë të drejtës që kërkuan 1 mijë e 300 minatorët e ngujuar në thellësi të horizonteve të Trepçës në atë kohë.
“Përpjekja për ta dëshmuar që Kosova është e menaxhueshme dhe mundesh me vepruar me të si të duash, ka dështuar atë ditë. I kanë dalë dore Minatorët, atë ditë i ka dalë dore Kosova. Të gjitha zhvillimet që kanë pasuar, janë pikërisht dëshmi që drejtimi që kish marrë Kosova ishte me mbrojtë të drejtën e vet. Të drejtën për të jetuar të lirë, për të punuar të lirë dhe për t’i aktivizuar resurset e veta për të zhvilluar jetën”, tha Haradinaj.
Në shënimin e Javës së Minatorëve dhe përvjetorit të 29-të të Grevës së Minatorëve, ishin pjesëmarrës përfaqësues të Institucioneve, Komunës, Sindikatës dhe Menaxhmentit të Trepçës. E pikërisht këtë moment Haradinaj e quajti dëshmi të përkushtimit që Trepça të rikthehet në funksion.
“Këtë vit e kemi shpallë vit të Trepçës. Aftësimin e Trepçës si kompani publike që të mund të operoj. Statuti i Trepçës është në hartim e sipër, Bordi i Trepçës është në përgatitje e sipër, ku do ta ketë edhe përfaqësuesin e punëtorëve, gjithashtu edhe Ligji i Trepçës. Jemi në punë që Trepça me qenë e aftë për të operuar vet dhe me gjet partner investiv. Është normale që kemi vështirësi por do t’i menaxhojmë me sukses. Do të punojmë kujdesshëm që aktivizimi i Trepçës në të gjitha kapacitetet e veta, mos me qenë fatkeqësi e asnjë qytetari të Kosovës, as i serbëve të veriut, pra nuk është fare aktivizimi i Trepçës i dedikuar kundër askujt, por për të gjithë” shtoi kryeministri.
Në fund, Haradinaj u bëri thirrje për ndihmë të të gjithë akterëve të përfshirë në këtë proces, në mënyrë që të aktivizohen resurset dhe Trepça të kthehet në misionin e saj, zhvillimin e Kosovës.
“Jam thellë i bindur që e kemi të drejtën që të lëvizim, që këto veprime të rezultojnë me mundësi, me kapacitetin veprues të Trepçës për operim, për partneritet, për zhvillim. Ky është lajm i mirë për të gjithë ata që e duan zhvillimin e Kosovës. Ta rikthejmë Trepçën si i takon, si i takon Kosovës”, tha Haradinaj.
Para 29 viteve minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë për të mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu zhbërjen e Jugosllavisë. Ishin rreth 1,300 minatorë që kishin hyrë në këtë grevë për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës dhe autonominë e saj. Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithë popullore demokratike e paqësore kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën. / 21Media

















