Rreth 500 kosovarë vdesin çdo vit nga ‘sulmi në tru

E publikuar: 19/02/2018 15:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbi 1 mijë e 300 kosovarë për çdo vit pësojnë ‘sulm në tru”, apo aksident vaskular trunor siç njihet ndryshe në termat mjekësor. Këta persona trajtimin e parë e marrin në klinikën e Neurologjisë pranë QKUK’së. Sipas drejtuesve të Neurologjisë rreth 40 për qind e kësaj shifre vdesin, që i bie rreth 500 persona në vit. Kjo klinikë sipas udhëheqësve të saj nuk ka kushte adekuate e as staf të mjaftueshëm për t’i trajtuar të gjitha këto raste. Përveç mungesës së infermierëve e aparaturës aty mungon edhe trajtimi adekuat.
Fatmire Gashi, 53 vjeçe nga Vushtrria dy vite më parë pësoi aksident vaskular në tru, apo siç njihet ndryshe sulm në tru. Ajo derisa ishte duke ngrënë bukë pësoi sulmin ku si pasojë, asaj iu deshën dy vite që të rikuperohet. Për Express 53 vjeçarja ka shpjeguar rreth trajtimit që ajo ka marrë si dhe terapive që tash e një kohë ajo është duke i kryer.
“Jam shtri në spital. Për 8 muaj pas sulmit kam qenë në gjendje të keqe, nuk mbaja mend shumë gjëra. Pas 8 muajve me ndihëm e familjes kam fillu pak me i ditë gjërat. E ja tash dy vjet e gjysmë pas sulmit unë jam mirë. Dal, lëviz, të gjitha gjërat i bëjë normalisht”, ka thënë Gashi.

Fat të njëjtë si të 53 vjeçares nga Vushtrria kanë edhe mijëra kosovarë të tjerë. Veç për një vit në Klinikën e Neurologjisë në QKUK rreth 1 mijë e 500 kosovarë kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e aksidentit vaskular trunor apo sulmit në tru. Si pasojë e kësaj më shumë se 500 persona në vit gjejnë vdekjen në këtë klinikë.

Kështu i ka thënë Expressit, Nexhmedin Shala, neurolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Në klinikën e Neurologjisë, ku unë jam përgjegjës dhe udhëheqës i këtij shërbimi, dikund 1200 deri në 1300 pacientë shtrohen brenda një viti nga disa lloje të aksidenteve vaskulare trunore. Shkalla e vdekshmërisë prej aksidenteve vaskulare trunore është e madhe. Mund të shkojë deri në 40 për qind”, i ka thënë Shala Expressit.

Ai ka treguar se sëmundja e sulmeve në tru radhitet për nga rëndesa në sëmundjen e tretë në vend.

“Pika në tru, apo aksidentet vaskulare trunore janë sëmundje që në raport me shkurtësinë dhe të gjitha të tjerat renditen në sëmundjet e treta për nga rëndesa, ndërsa është sëmundja e gjashtë për nga balla që e mbanë familja dhe shteti”.

Megjithëkëtë, drejtori i Neurologjisë thotë se sfidë mbetet trajtimi i këtyre personave në klinikën që ai drejton. Thotë se mungesa a infermierëve, aparaturës janë disa nga barrierat. Por me gjithë këtë numër të pacientëve e gjithë Kosova ka vetëm një rezonancë magnetike në të cilën pacientëtqë pësojnë sulme të tilla detyrohen që të presin me muaj për ta kryer këtë shërbim, por ka edhe të atillë që një shërbim të tillë e kryejnë në spitalet private në vend.

Pavarësisht kësaj, Shala thotë se Klinika e Neurologjisë nuk e ka një rezonancë të saj. Por që pacientët e Neurologjisë këtë shërbim e kryejnë në aparaturën që gjendet e shfrytëzohet nga e gjithë QKUK’ja.

“Klinika në kuadër të QKUK’së disponon një aparaturë, qoftë skaner, apo rezonancë magnetike apo aparatura tjera ndihmëse për me diagnostikuar shkakun e aksidenteve vaskulare. Kushtet e punës në të cilat shtrohen këta të sëmurë në klinikën tonë, unë me keqardhje them që ato nuk janë më të mirat dhe ky është ai segmenti ku shteti duhet ta shtrijë dorën vet”, shpjegon neurologu.

Ai thotë se për një shërbim më cilësor duhet shtuar numri i infermierëve për këtë klinikë.
“Ne çalojmë edhe në atë që quhet ofrim cilësor i ndihmën mjekësore. Është mungesa e stafit infermieror. Ne nuk kemi staf të mjaftueshëm. Duhet të ketë staf të mjaftueshëm për të ofru minimumin e cilësisë dhe kujdesit që në këtë rast mungon dhe institucionet tona nuk e kemi”, thotë tutje Shala.

Por rreth kësaj çështjeje SHSKUK’ja, po kërkon që në QKUK të punësohet edhe së paku 180 infermier të rijnë për të gjitha klinikat.

Kështu i ka thënë Expressit, drejtori i SHSKUK’së, Basri Sejdiu.

“Për momentin kjo do të jetë një zgjidhje shumë e mirë. Shërbimet të cilat vuajnë për infermierë, kjo do t’iu bëjë zgjidhje të madhe”, ka thënë Sejdiu.

E ndërkohë, shkaqet kryesore që qojnë në sulmin në tru sipas neurologut, Nexhmedin Shala janë të lindura apo edhe të fituara.

“Të lindura janë ato gjenetike, kur persona të caktuar janë bartës të kësaj sëmundje. Të fituara janë problemet me enë të gjakut, problemet me zemër, indet e gjakut, mund të jenë probleme në nivel të sistemit nervor qendror”, ka shpjeguar për Express Shala.
Megjithëkëtë, Shoqata e Neurologëve të Kosovës dhe Klinika e Neurologjisë në QKUK kanë shprehur nevojën e vetëdijesimit të popullatës por edhe të personelit mjekësor për masat parandaluese të kësaj sëmundjeje dhe njëkohësisht kërkon nga autoritetet shtetërore rritjen e mbështetjes për profesionistët, në luftë kundër kësaj sëmundjeje./Express/