VV kërkon hetim ndërkombëtar për aktivistët e dënuar

E publikuar: 19/02/2018 14:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci dhe Liburn Aliu, kanë kërkuar zbatimin e kërkesave të miratuara nga Kuvendi lidhur me rastin, që ata e quajnë të montuar, të katër aktivistëve të dënuar të kësaj Lëvizje.

Ata kanë thënë se duan hetim për të gjithë hierarkinë e zyrtarëve në këtë rast.

“Nuk mund të ketë hetim të rregullt nëse, ta zëmë ish-ministrja e drejtësisë, Dhurata Hoxha, të vazhdojë të jetë ministre. Pra duhet të ndodhin paraprakisht shkarkimet e më pas hetimi”, ka thënë Aliu.

“Personat që janë pjesë e hetimit, s’mund të jenë edhe pjesë e qeverisë”.

Nagavci e Aliu e kanë përsëritur se vendimi për t’i dënuar me burgim aktivistët e tyre është komplet arbitrar dhe i pabazuar në kurrfarë fakti.

Gjykata Themelore në Prishtinë i pati shpallur fajtorë deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, si dhe tre aktivistët e tjerë të kësaj partie, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, të cilët akuzoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës./insajderi/