Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar sot Ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë . Bojan Bertoncelj, me të cilin ka diskutuar për të arriturat dhe sfidat e procesit integrues, thellimin e bashkëpunimit në këtë proces si dhe përvojat e këtij procesi, njofton kumtesa zyrtare.
Hoxha shprehu respekt dhe mirënjohje për përkrahjen që i erdhi Kosovës nga Sllovenia, duke theksuar se miqësia e Sllovenisë është e dëshmuar për historinë e re të Kosovës.
Më tej, ajo ka diskutuar për Strategjinë e zgjerimit të BE-së për Ballkanin perëndimor duke theksuar rëndësinë e procesit integrues, angazhimin maksimal të institucioneve të Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe Agjendën e Reformave Evropiane duke kërkuar mbështetje të mëtejme nga Sllovenia, shtetit mik që vazhdimisht ka përkrahur proceset pozitive të Republikës së Kosovës.
Ambasadori Bertoncelj po ashtu vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe shprehu përkushtimin e tij që këto raporte të zgjerohen edhe më tutje, veçanërisht për procesin e integrimit evropian./GazetaExpress/
















