Të dënuarit për fajde kërkojnë të lirohen nga akuza apo rasti ndaj tyre të kthehet në rigjykim

E publikuar: 15/02/2018 16:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Xhelal Hoxha, Nuhi Hoxha, Flamur Hoxha dhe Hamdi Jashari, të dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për vepra penale që lidhen me fajde, të enjten në seancën e kolegjit të Apelit, kanë kërkuar që të lirohen nga akuza apo që çështja e tyre të kthehet në rigjykim.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 nëntor të vitit të kaluar, Xhelal Hoxhën e kishte dënuar për veprën penale në vazhdimësi “fajde” dhe për këtë i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vite si dhe dënim me gjobë prej 1000 euro.

Nuhi Hoxha, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale “fajde” dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Për veprën penale të fajdesë ishte dënuar me tetë muaj burgim dhe 500 euro gjobë edhe Flamur Hoxha, kurse polici Hamdi Jashari, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të fajdesë, ishte dënuar me dënim unik prej një viti burgim dhe 500 euro gjobë.

Të pakënaqur me këtë aktgjykim të gjykatës së shkallës së parë, të gjithë të dënuarit përmes mbrojtësve të tyre janë ankuar në Gjykatën e Apelit.

Mbrojtësi i Xhelal Hoxhës, avokati Fanol Krasniqi, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit tha se aktgjykimi i shkallës së parë është mbështetur në dëshmi të dëshmitarëve që nuk janë të sakta. Sipas Krasniqit, vet palët e dëmtuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, kanë deklaruar se nuk ndjehen të dëmtuara.

Avokati i Nuhi Hoxhës, Ramiz Krasniqi, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit tha se gjykata e shkallës së parë ka konfiskuar veturat e të dënuarit Hoxha, edhe pse të njëjtat vetura sipas Krasniqit nuk kanë pas të bëjnë asgjë me veprat penale për të cilat është dënuar i mbrojturi i tij.

“Klienti im punon në një ‘Rent a car’ (vetura me qira). Këto vetura të cilat i ka konfiskuara gjykata kanë qenë vetura që i përkisnin kompanisë së ‘Rent a car’-it, dhe të njëjtat nuk kanë pas të bëjnë asgjë me veprat për të cilat akuzohet i mbrojturi im”, tha në fjalën e tij, avokati Ramiz Krasniqi.

Sipas Krasniqit, krejt kjo çështje, ka filluar me shkelje dhe ka përfunduar me çështje.

Andaj, i njëjti kërkoi nga Apeli që të lirojë nga akuza të mbrojturin e tij ose çështjen ta kthej në rigjykim si dhe veturat e konfiskuara ti lirojë nga konfiskimi.

Mbrojtësi i të dënuarit Flamur Hoxha, avokati Ibrahim Maxhuni, në ankesën e tij drejtuar Apelit, ka theksuar se aktgjykimi i shkallës së parë është i përcjell me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe vendimit lidhur me sanksionin penal.

Sipas ankesës së mbrojtësit Maxhuni, në arsyetimin e aktgjykimit të shkallës së parë, nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë faktet dhe arsyet e vërtetuara me ato të pavërtetuara, saktësinë e provave kundërthënëse si dhe nuk janë përshkruar faktet dhe rrethanat që përbëjnë figurën e veprës penale.

Lirimin nga akuza apo kthimin e çështjes në rigjykim, e kërkoj edhe i akuzuari Hamdi Jashari, përmes ankesës së parashtruar nga mbrojtësi i tij, avokati Asdren Hoxha.

Sipas ankesës së mbrojtjes së Jasharit, aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban as minimumin e arsyetimit lidhur me provat dhe faktet në bazë të të cilave gjykata e shkallës së parë ka nxjerrë këtë aktgjykim.

“I mbrojturi im është shpallë fajtor nga shkalla e parë për dy vepra penale dhe në secilin nga to, fillohet me fjalën “në cilësi të personit zyrtar”. Kjo gjendje faktike është vërtetuar gabimisht pasi që me asnjë provë gjykata nuk e ka argumentuar faktin se i mbrojturi im ka vepruar në cilësi të personit zyrtar”, thuhet në ankesën e avokatit Asdren Hoxha.

Sipas mbrojtjes së policit të dënuar, Hamdi Jashari, aktgjykimi i Themelores nuk sqaron formën e kryerjes së veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe kjo mangësi sipas mbrojtjes e bën aktgjykimin e pakuptimtë dhe jo të bazuar në arsyetim të mjaftueshëm ligjor.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Xhelal dhe Flamur Hoxha, nga viti 2014 e tutje, kanë kontraktuar dhe pranuar shumë jo proporcionale të të hollave. Të njëjtit, supozohet se si fajde kanë pranuar rreth 32 mijë e 800 euro nga të gjithë të dëmtuarit, me të cilët kanë kontraktuar.

Kurse, i pandehuri Nuhi Hoxha, akuzohet se ka ndihmuar të akuzuarit e lartpërmendur duke e shtyrë pagesën e këstit të fajdesë të dëmtuarve për borxhin, të cilin ata e kishin marrë nga të pandehurit. Me këtë rast, ata konsiderohet se kanë kryer veprën penale të fajdesë.

Polici Hamdi Jashari, sipas prokurorisë, akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Jashari, sipas aktakuzës, është bërë ndërmjetësues mes të akuzuarit Xhelal Hoxha dhe Mehmet Rizah Ibishit.

Prokuroria pretendon se Jashari ka ndërmjetësuar në mes të pandehurit Xhelal Hoxha dhe njërit prej të dëmtuarve. Jashari akuzohet edhe për ndihmë në fajde, për veprimet e lartpërmendura./Betimiperdrejtesi/