Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë vizitës në Pejë dhe në Istog kishte disa takime ku u trajtuan çështje me interes për zhvillimin e këtyre komunave.
Gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Pejës, Gzmand Muhaxheri, u shqyrtuan planet dhe projektet s në sektorin e ujit, respektivisht ujësjellësin, trajtimin e ujërave të zeza, grumbullimin dhe menaxhimin me mbeturinat, si dhe për sektorë të tjerë. Theks i veçantë i është dhënë realizimit të projektit për furnizim me ujë të fshatrave të Lugut të Baranit, pastaj gjetjes së zgjidhjeve për fshatrat e Rugovës, duke pasur parasysh se furnizimi me ujë do të ketë ndikim edhe në zhvillimin e turizmit. Njëherit u shqyrtua mundësia për ngritjen e impiantit për pastrimin e ujërave të zeza.
Ministri Lluka me këtë rast theksoi edhe domosdonë e angazhimit të autoriteteve komunale për zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe evitimin e kyçjeve ilegale në rrjet. Njëherit kërkoi që edhe në këtë komunë të realizohen projekte që ndërlidhen me efiçiencën e energjisë elektrike dhe të atyre të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, posaçërisht përmes paneleve solare.
Në kuadër të kësaj vizite, kreu i MZHE-së vizitoi edhe KRU “Hidro Drini”, ku u prit nga bordi dhe menaxhmenti i kompanisë, me të cilët u fol për planet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet, pasi humbjet e ujit janë shumë të mëdha- rreth 62% të sasisë së ujit të prodhuar, kryesisht për shkak të kyçjeve ilegale, apo edhe rrjedhjeve që janë rezultat i rrjetit të vjetërsuar./Infosot/
















