Gjykata Themelore e Mitrovicës pak minuta më parë ka liruar dy policët e Kosovës, të cilët u arrestuan dy ditë më parë nën dyshimin se kanë manipuluar provat rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqri Syla, njofton koha.net.
Prokuroria, sot në mëngjes ka kërkuar nga Gjykata, që t`u caktojë një muaj paraburgim të dyshuarve.
Dy policët janë Zarko Jankoviq dhe Dragica Markoviq.
Ata dyshohet se një gëzhojë e kanë larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk e kanë dorëzuar bashkë me provat e tjera.
Të dielën, Gazeta Express ka raportuar se dy policët janë suspenduar nga detyra.
“Policia e Kosovës i ka suspenduar dy policët që janë arrestuar mbrëmë për shkak se kishin prishur provat e vrasjes së Oliver Ivanoviqit’, ka njoftuar policia.
Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar. Ai u varros një ditë më pas në Beograd./GazetaExpress/

















