Zëvendëskancelari i Austrisë, Heinz-Christian Strache, u raportua të ketë thënë sot se Kosova është pjesë e Serbisë. Por, nëpërmjet zëdhënësit të tij, ai ka mohuar të jetë shprehur kështu për gazetën serbe “Politika”.
Deklarata se “Kosova padyshim është pjesë e Serbisë”, dhe një propozim prej tij, më herët gjatë ditës, për “të drejtën për vetëvendosje” për Veriun e Kosovës, nxitën shumë reagime në Kosovë.
Madje, Vjena zyrtare u detyrua të distancohet prej deklaratave të tij. Ministria e Jashtme e Austrisë i ka quajtur të pamatura këto deklarime të Strache.
“Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Austria është një fakt i pakundërshtueshëm”, ka thënë zëdhënësja e ministres Karin Kneissl. “Dhe kjo njohje nuk mund të ndryshohet”.
E, reagimet në Kosovë dhe distancimi i shtetit të tij kanë vënë në lëvizje Kabinetin e zëvendëskancelarit austriak.
Zëdhënësi i Strache, Martin Glier, ka thënë për agjencinë austriake APA se shefi i tij nuk ka thënë kurrë se “Kosova padyshim është pjesë e Serbisë”.
“Austria e ka njohur Kosovën si një prej vendeve të para. Austria përkrah perspektivën evropiane edhe të Kosovës edhe të Serbisë. Ky është orientimi i Qeverisë Federale dhe asgjë nuk ka për të ndryshuar”, ka thënë Glier, sipas gazetës Kurier.
“Kosova e pavarur është një fakt dhe realitet dhe Austria e ka njohur atë”, ka theksuar ai.
Por, zëvendëskancelari austriak nuk i ka ndryshuar fjalët për autonominë për veriun e Kosovës.
Zëdhënësi i tij, Glier, ka thënë se Strache është i mendimit që të gjendet një kompromis për minoritetin serb në Kosovë, me një status të autonomisë, si shembull Tiroli i Jugut.
Sipas tij, Austria duhet të luajë rolin e ndërmjetësuesit neutral dhe që të kontribuojë për paqe afatgjatë në Ballkan dhe një afrim mes Prishtinës dhe Beogradit.
Idenë e zëvendëskancelarit austriak për negociata për ndarjen e Kosovës e kanë përkrahur edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryediplomati grek Nikos Kotzias. Në këtë pazar është përfshirë edhe lideri i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Ndërkohë, në Presidencë kanë thënë se në këtë fazë ideja e shkëmbimit të territoreve është spekulim.
Në anën tjetër, në Qeveri kanë thënë se as në këtë fazë dhe as në faza tjera s’do të ketë skenar për ndarjen dhe shkëmbimin e territorit të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli e ka konsideruar si te pamatur deklaratën e Zëvendëskancelarit austriak Heinz-Christian Strache, se duhet t’i jepet autonomi Veriut të Kosovës. Pacolli ka thënë se idetë e tilla sjellin gjakderdhje.
“Deklaratat si kjo e zëvendëskancelarit të Asutrisë janë të pamatura dhe nuk kontribuojnë në zgjidhjen e asnjë situate të acaruar në Kosovë”, ka thënë për Express Zëvendëskryeministri dhe njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli.
“Ne falënderojmë Austrinë për kontributin e madh që ka dhënë në Kosovë dhe rajon, por e kundërshtojmë fuqishëm deklaratën e zëvendëskancelarit, duke konsideruar se ajo deklaratë është dhënë pa e njohur mirë situatën reale në Kosovë”, ka shtuar ai.Kryediplomati kosovar ka kundërshtuar edhe idetë tjera për shkëmbim territoresh e ndarje të Kosovës. Ai ka thënë se ide të tilla sjellin luftëra.
Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kishin thënë se në këtë fazë është spekulim çdo ide që çon në shkëmbim të territoreve me Serbinë. Por, nuk kishin mohuar nisjen e bisedave joformale me palën serbe për këtë ide. /Express/

















