Një skandal ku janë të përfshirë dy ministra të kabinetit të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, është përfolur në media, pa bërë publik emrin e asnjërit prej të përfshirëve.
Por deputeti demokrat i Vlorës, Agron Shehaj i ka bërë publik emrat që sipas tij kanë abuzuar me detyrën duke shkëmbyer para për tu përdorur në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 ku Rama mori mandatin e dytë qeverisës, këtë radhe i vetëm, pa koalicion.
Sipas Shehajt, ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe ai i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri janë përgjuar teksa flasin me një person të vënë nën hetim nga Gjykata. Bëhet fjalë për biznesmenin Klodian Zoto. Ky i fundit nuk është një emër i panjohur. Opozita e ka akuzuar vazhdimisht. Qeveria shqiptare i dha kompanisë së Klodian Zotos tenderin e dyshimtë për të cilin opozita akuzon se nuk është zhvilluar garë, për ndërtimin e tre inceneratorëve në Fier, Elbasan dhe Tiranë. Në bisedat e përgjuara nga Gjykata, sipas Agron Shehajt, ka dalë pikërisht fakti se “ministrat udhëzonin Zoton për pagesa dhe dorëzim parash që kishin të bënin me zgjedhjet e qershorit 2017”.
Statusi i plotë i deputetit të PD-së në rrjetin social Facebook
“Sipas mediave, Ministrat Ahmetaj dhe Gjiknuri janë përgjuar ndërkohë që flisnin me Klodian Zoton.
Ministrat udhëzonin Zoton për pagesa dhe dorëzim parash që kishin të bënin me zgjedhjet e qershorit 2017.
Zoto ishte nën përgjim me kërkesë të prokurorisë dhe vendim të Gjykatës. Vetëm Prokuroria mund të sqarojë opinionin publik nëse dy nga ministrat kryesor të qeverisë janë nën hetim.
Ndërkohë ka një presion te jashtëzakonshëm mbi mediat. Censurohet në 90% të mediave lajmi që ministri Gjiknuri është nën hetim nga prokuroria e Elbasanit. Të shohim sa do vazhdojë injorimi.
Mos hesht, shpërndaje!!!
Këtë postim Shehaj e shoqëron me foto të Zotos, Gjiknurit dhe Ahmetajt.
















