A do të këtë zgjedhje në LDK para vitit 2019? A do të këtë LDK ushtrues të detyrës së kryetarit, gjatë kohës kur Mustafa qëndron për shërim në Gjermani? Kush janë kandidatët kryesorë për pozitën e kryetarit, pas z. Mustafa? Për Gazetën Expresss, flasin njerëzit kryesorë të partisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas rregullores së partisë, zgjedhjet e brendshme i mban jo më herët se në vitin 2019. Të gjithë akterët kryesorë të kësaj partie, deklarativisht janë të prirë të theksojnë që ky afat edhe më tutje qëndron. Mirëpo, me kryetarin Mustafa në Gjermani për shërim, me zhvillimet jonormale në skenën politike, ata më ambiciozet për ta zëvendësuar Mustafën në vitin 2019, nuk është që po qëndrojnë krejtësisht të relaksuar.
Gazeta Express ka mësuar që, ndoshta edhe me bekimin e Isa Mustafës, po bëhet përgatitje që LDK ta ketë një ushtrues detyre të kryetarit të partisë, së paku deri kur kryetari aktual të kthehet në vend.
“Ekziston një ide për një ushtrues detyre”, i ka thënë Gazetës Express një burim nga kjo parti, duke shpjeguar që kjo ide po trajtohet me një kujdes të jashtëzakonshëm, marrë parasysh faktin që janë së paku pesë kandidatë që po shpresojnë që të fitojnë pozitën e kryetarit të partisë në vitin 2019, kur është afati i rregullt.
Burimi i Gazetës Express ka treguar gjithashtu që një delegacion i LDK’së e ka vizituar Mustafën në Gjermani për të biseduar rreth kësaj çështje.
“Tash për tash e ndjekim ciklin e rregullt, nuk ka diçka të re”, ka thënë nënkryetari Agim Veliu për Express, kur është pyetur nëse ka mundësi të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar, para afatit që e parashihet sipas rregullores.
Veliu për Gazetën Express ka thënë gjithashtu që nuk e kanë emëruar askënd si ushtrues detyre në mungesën fizike të kryetarit Mustafa. Duke u thirrur në statutin e partisë, ai thotë se nënkryetarët ushtrojnë detyrën e kryetarit në mungesë të tij.
“Statuti i partisë parasheh që ushtrues detyre të jenë nënkryetarët e partisë, nëse mungon kryetari, nëse është për punë diku jashtë vendit, në mungon për ndonjë arsye”, ka thënë Veliu, i cili, ka mësuar Gazeta Express, është gjithashtu njëri prej pretendentëve për të zëvendësuar Mustafën për pozitën e kryetarit të partisë.
Përveç tij, ambicie serioze për të marrë pozitën e kryetarit të LDK’së janë edhe Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Avdullah Hoti.
“Një gjë dihet, askush nuk mund të bëhet kryetar i LDK’së, nëse për këtë gjë nuk e ka pajtimin e Lutfi Hazirit, Agim Veliut dhe Gazmend Muhaxherit. Këta tre janë shtyllat elektorale të LDK’së”, ka thënë burimi anonim i Expressit.
“Është problematike ambicie e Lutës dhe Agimit. Këta të dytë nëse bashkohen, nëse njëri tërhiqet, atëherë automatikisht janë pretendues serioz. Në anën tjetër është Vjosa Osmani, e cila ka përkrahje në elektorat”, thotë burimi.
Në anën tjetër, Lutfi Haziri, në një bisedë të shkurtër për Express, nuk pranon as të zihet në gojë “ushtruesi i detyrës”. Sipas tij, nuk është njerëzore që të përmendet zëvendësimi i kreut të partisë, edhe nëse bëhet fjalë për një ditë një javë as një vit.
“Ai është në proces të rehabilitimit dhe ka nevojë për familjen e tij dhe kujdesin e mjekëve dhe natyrisht jemi në kontakt ditor”.
Haziri i ka treguar Expressit se kush është kryetar i LDK’së dhe se si nuk duhet të përmendet asnjë zëvendësim a ushtrues detyre deri në kthimin e të parit të partisë.
“LDK ka kryetar dhe i është Isa Mustafa dhe ka strukturat në detyrë. Kështu që, është e pandershme dhe jashtë çdo solidariteti dhe tradite me bo duplifikime kur kryetari është në jetë dhe është në funksion”, ka thënë ai.
Ndryshe nga ajo që thotë Haziri tani, së fundmi e edhe para se kryetari Mustafa të kishte probleme shëndetësore, është folur për liderin e ardhshëm të LDK’së.
“Ka qënë ide e Isa Mustafës që të tërhiqet. Ai këtë e kishte përmendur para zgjedhjeve lokale”, vazhdon të tregojë burimi i Express.
“Rezultati i mirë në zgjedhjet lokale, kur LDK doli parti e parë, e ndërroi deri diku disponimin. Ishin shumë njerëz në LDK që i thanë Mustafës se nuk kishte nevojë që të tërhiqej”, thotë ky burim, sipas të cilit, LDK tash gjendet në një proces kur po përballen dy gjenerata.
“LDK do të dëmtohej shumë nëse në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që do të mbaheshin ato, nuk do të kishte një konsensus në mes të gjeneratës së vjetër dhe gjeneratës së re”, thotë ai.
Kur flitet për gjeneratën e re mendohet në Lumir Abdixhikun, Driton Selmanajn, Arben Gashin, por posaçërisht mendohet në Vjosa Osmanin, e cila është gruaja më e votuar në histori të Kuvendit, dhe ndër deputetët më të votuar të kësaj legjislature. Ajo qëndron si emër që do të sfidonte çdokënd që vendos të kandidojë për kryetar.
Kandidimi i Vjosa Osmanit, të zgjedhurës se 65 mijë qytetarëve, nuk do të ishte befasi marrë parasysh se diçka të tillë ajo kishte pretenduar të kandidonte për kryetare të partisë edhe në zgjedhjet e 2015’ës kur ishte zgjedhur Isa Mustafa kryetar i partisë.
Asaj iu pamundësua kjo, pasi që delegatët e LDK’së nuk e kanë aprovuar kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryetare të kësaj partie. Ajo kishte kontestuar legjitimitetin e zgjedhjes së Mustafës dhe kishte thënë se moslejimi i saj për të kandiduar ishte shkelje e statutit të partisë.
Rregullimi i raporteve me Mustafën, marrja e 65 mijë votave në zgjedhjet e fundit, dhe të qenit në një vijë me partinë, pas tri vjetëve të kundërshtimit të vendimeve e udhëheqjes së partisë, i japin asaj të gjitha mundësitë për kandidim. Osmani asnjëherë nuk ka mohuar se do të kandidonte.
Avdullah Hoti është emri tjetër që hyri në listën e ngushtë të partisë, vetëm pasi Mustafa vendosi ta nominojë kandidat të LDK’së për kryeministër dhe bartës të listës zgjedhore në qershor kur u mbajtën zgjedhjet nacionale. /Express/

















