Shumë njerëz në listën e pritjes për koronarografi, nuk kanë fare nevojë për të. Kështu ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë, Tefik Bekteshi.
Duke folur për programin e ri, me të cilin Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive po punojnë nga 24 orë në ditë në sistemin emergjent, Bekteshi ka thënë se është zvogëluar lista e gjatë e pritjes për shërbime.
“Në nëntor kanë qenë 1052 raste në listën e pritjes. Tani janë 664 raste me sot që janë paraqitë, 70 pacientë për stentim, por s’ka urgjencë. Në atë listë gjenden njerëz që s’kanë nevojë fare. Afër 50 për qind s’kanë pas nevojë fare, të ndikuar nga mjekët me arsye të ndryshme, por të mos hyjmë në hak se ka shumë që kanë nevojë”, ka thënë ai në KTV.
Këtë listë, Bekteshi beson se QKUK mund ta largojë nëse punohet me dy salla për vetëm 3 – 4 muaj. Aktualisht ky shërbim po kryhet në vetëm një sallë për shkak se tjetra ka probleme, të cilat sipas Bekteshit, mund të rregullohen shumë shpejt, por problemi i vonesës qëndron te ligjet e prokurimit dhe tenderimit.
Për tri ditët e para që ka punuar ky shërbim me orar 24 orë në ditë, Bekteshi ka thënë se janë trajtuar 36 raste duke e arritur mesataren evropiane për një sallë. 15 prej tyre kanë pas stentime, ndërsa në një rast ka pasur vdekje.
Ai ka thënë se një servisim i plotë i aparaturës ka mjaftuar që të krijohen kushtet për punë 24 orë. Materialet dhe plotësimi me infermierë janë kushtet tjera që janë ndikuese, po ashtu, sipas Bekteshit. Bekteshi është shprehur optimist për të ardhmen duke thënë se ky projekt mund të vazhdojë pa probleme.


















