Deputetët kërkojnë shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit Memorial të Jasharajve

E publikuar: 08/02/2018 11:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë reaguar të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës lidhur me rrezikun që i kanoset Kompleksit Memorial të Familjes Jashari në Prekaz për t’u rrënuar.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu tha se edhe pse janë ndarë mjetet për restaurimin e Kompleksit Memorial të Jasharajve, ato mjete nuk janë shfrytëzuar nga institucionet përkatëse.

Ai theksoi se Kuvendi i Kosovës në muajin korrik të vitit të kaluar ka votuar amendamentin për ndarjen e buxhetit për rinovimin si dhe restaurimin e këtij kompleksi.

“Agjensioni s’ka bërë asgjë. Puna nuk është bërë, dhe disa nga mjetet kanë shkuar në suficit. Gjendja e kompleksit memorial në Prekaz është e rëndë prandaj është kërkuar në mënyrë urgjente restaurimi i saj. Mjetet duhet të ndahen në mënyrë urgjente për trajtimin ashtu siç e meriton”, tha Haxhiu.

Edhe deputeti i Nisma për Kosovën, Milaim Zeka shprehu shqetësimin e tij për kompleksin e Jasharajve.

Ai bëri thirrje që të formohet një komision për të hetuar çdo cent që është dhënë për memorialin e Jasharajve.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj theksoi se Ligji për Kompleksin Memorial në Prekaz, është iniciativë e legjislaturës së kaluar, por që është ndërprerë pas përfundimit të mandatit të legjislaturës së kaluar.

Ai po ashtu tha se që dy javë kanë kërkuar që ky ligj të procedohet dhe të zgjidhet ky problem sa më shpejt.

“Po shihet hapur që një interesim i tillë nuk po duket në horizont”, theksoi Haradinaj.