Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të vizitës së tij në SHBA, ku do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit, ka takuar ish-udhëheqësin e OSBE-së, në Kosovë, William Walker.
Thaçi ka falënderuar Walkerin për angazhimin e tij për Kosovën gjatë vitit 1999, por edhe pas luftës.
“Në SHBA, Kosova ka shumë miq. Është kënaqësi të bisedosh për të arriturat dhe aspiratat e shtetit të Kosovës me njerëzit që e kanë në zemër dhe punojnë për të, siç është z. William Walker”, shkruan Lajmi.net.
“Në prag të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e kujtojmë me mirënjohjen më të thellë angazhimin e tij për Kosovën, si në vitin 1999, ashtu edhe sot”, ka shkruar Thaçi.
Bashkë në këtë takim ka qenë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli.
Kujtojmë se Wallker i cili nga afër kishte parë masakrën që kishin kryer forcat serbe në Reçak, ka qenë shumë kritik ndaj Thaçit dhe klasës politike në përgjithësi.
Walker më 15 janar në zbulimin e pllakës përkujtimore për të masakruarit në Reçak, ishte shprehur se nuk e ka mik Thaçin.

















