Nëse kompani Bechtel & Enkas do të çonte çështjen e autostradës “Arbën Xhaferi” në Arbitrazh, Kosova do të kishte dëme fatale, sipas ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj.
Në Interaktiv të KTV-së, Lekaj ka thënë se ish qeveria kishte neglizhuar borxhin ndaj kësaj kompanie dhe ka rrezikuar të humbë deri në gjysmën e buxhetit të vendit, nëse çështja do të shkonte në Arbitrazh.
Ai ka sqaruar deklaratën e shkuar se Bechtel & Enka ka kërkuar 63 milionë nga qeveria e Kosovës për shkak të një marrëveshje që kishte me ish-ministrin Lutfi Zharku.
“Arsyeja është se ka qenë një kërkesë e ish-ministrit Zharku që të vazhdohet kontrata edhe për një vit sepse kontrata është dashur të përfundojë në janar të këtij viti. Ka bërë kërkesë dhe janë pajtuar pothuajse. Vetë është bërë kërkesa është pajtuar ministri Zharku, por vendimi s’është firmosur. Janë takuar mbi 100 herë por s’është bërë zgjidhje. Qeveria e Kosovës e ka kthyer në komunitetin ndërministror dhe më pas te Zharku. Është stërzgjatë dhe nuk është marrë vendim. Edhe pse e ka pasur planin dinamik të B&E për të shlyer obligimet nuk është bërë kjo. Janë zotuar, për vitin 2014, 2015 dhe 2016, por është paguar pak”, ka thënë ai. “Ka mundur të shkonte në arbitrazh dhe do të rrezikonim gjysmën e buxhetit. Do të ishte diçka fatale. Ka qenë neglizhim i qeverisë së shkuar.
Lekaj ka thënë se po tenton të ulë çmimin përmes negociatave, por nuk ka përmendur shumën që mendon se mund të arrihet në marrëveshje.
Lekajn e kishin bërë të ndjehet keq deklaratat e deputetëve të LDK-së për Specialen
00:10 – Duke folur rreth iniciativës për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka ripërsëritur atë që ka thënë fillimisht kreu i shtetit Hashim Thaçi, se ajo u ekzagjerua.
Lekaj ka thënë se e kanë bërë të ndjehet keq deklaratat e deputetëve të LDK-së.
“Ajo që mund të them është se si AAK kemi qenë kundër, jemi kundër dhe kemi dhënë nënshkrimet tona si deputetë. Ajo që ka ndodhur më 22 dhjetor ishte iniciativë e deputetëve, e cila u ekzagjerua. Për herë të parë jam ndier keq kur kam parë deputetët e LDK-së duke dalë në konferencë për media pas dy-tre orësh e duke thënë se do të ikë KFOR-i, do të kthehet Serbia, do të kthehet Rezoluta 1244. Është shumë keq të përfitohet politikisht në këtë mënyrë”, ka thënë Lekaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Duke folur edhe për kërcënimet që kishin ardhur nga ambasadorët e Quintit, sidomos nga ai amerikan Greg Delawie dhe ai britanik Ruairi O’Connell, Lekaj ka thënë se ka besim që shefi i tij në parti e në ekzekutiv, Ramush Haradinaj, nuk do t’i bëjë dëm vendit.
“Ne e dimë situatën ku ndodhemi”, ka thënë Lekaj, duke thënë se përfundimisht ideja për zhbërjen e Speciales është çështje e mbyllur.
Lekaj tregon se si mund ta votojë AAK-ja versionin aktual të demarkacionit
23:50 – Pal Lekaj i AAK-së, ka treguar se po kërkohet një mes për të dalë nga ngërçi i demarkacionit, njërës prej çështjeve më të përfolura kohëve të fundit në Kosovë.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Lekaj ka thënë se deputetëve të shumicës do të mund t’u jepej sinjali për ta votuar demarkacionin në versionin që është pas një marrëveshje eventuale mes dy kryeministrave, atij të Kosovës dhe Malit i Zi.
Dushko Markoviq, numri një i ekzekutivit në Malin e Zi vjen nesër në Kosovë, e Pal Lekaj thotë se ka mundësi që të nënshkruhet një marrëveshje me Ramush Haradinajn, kryeministër i Kosovës që do të parashihte rinegocim të gjetjeve të reja rreth demarkacionit.
“Edhe në ligj thuhet se nëse ka fakte të reja të negociohet. Nëse gjetjet e reja të Komisionit të themeluar nga z. Ramush Haradinaj rinegociohen, dhe për këtë ka një marrëveshje paraprake me shkrim me kryeministrin e Malit të Zi, për të cilën mund të dakordohen nesër, mund të jepet sinjal për deputetët tanë që ta votojnë versionin ekzistues të demarkacioni”, ka thënë Lekaj.
Lekaj thotë se Pacolli është i hapur për të ndërtuar kompleksin e ri rezidencial
23:53 – Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli është shprehur i hapur që të ndërtojë kompleksin e ri rezidencial në Hajvali, nëse merret një vendim për ndërtimin e tij.
Në atë që po njihet si “Darka e Hajvalisë”, Lekaj ka thënë në Interaktiv të KTV-së se kjo ide për ndërtimin e kompleksit të ri është përmendur nga presidenti Hashim Thaçi, ndërsa ka shtuar se nuk është folur për detaje.
“Nëse ia lejojnë ligjet dhe kushtet, ka thënë pse të mos kandidojë. Megjithatë, duhet të dihet se s’ka pasur pazar dhe as që është marrë një vendim. Është përmend që të zhvendoset. Në darkë e ka bërë kërkesën presidenti Thaçi. Jemi pajtuar të zhvendoset, por s’është përmend asgjë në detaje. Duhet të caktohet lokacioni, të bëhen shumë procedura deri në përzgjedhjen e kompanisë”, ka thënë Lekaj.
Lekaj ka shtuar se nëse Pacolli me firmën e tij do të fitonte një tender për ndërtimin e këtij kompleksi, do të kishte konflikt interesi.
Lekaj: Mbrëmja te Pacolli ishte shumë e relaksuar
Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, e ka quajtur shumë të relaksuar darkën e mbrëmshme në villën e numrit dy të Qeverisë, Behgjet Pacolli, në Hajvali. Kjo me gjithë hallet e problemet e qytetarëve të Kosovës, për të cilat Lekaj ka thënë se i dinë.
“Sa i përket darkës të mbrëmshme është me interes që ta themi të vërtetën se si ka ndodhur ajo. Këto darka janë të dobishme, kur mblidhen krerët e shtetit dhe diskutojnë për çështje të shtetit. Besoni se ka qenë ka qenë një mbrëmje e relaksuar dhe është diskutuar më tepër për çështjen e zhvillimit të Kosovës dhe për 10 vjetorin e Pavarësisë”, ka thënë Lekaj.
Lekaj ka thënë janë të vetëdijshëm për problemet dhe hallet e qytetarëve të Kosovës.
“E kemi thënë se kushti për demarkacion në këmbim të vizave është padrejtësi dhe sui generis për Kosovën. Është e pakuptimtë, por sido që të jetë Qeveria, Presidenca e Kuvendi duhet të gjejnë konsensus për zgjidhje për demarkacionin”, ka thënë Lekaj.
Sa i përket fotografive të publikuara dhe vlerësimit si odë e burrave ku në mesin e shumë anëtarëve të qeverisë Haradinaj, shihej vetëm një grua, ministrja Albena Reshitaj, Lekaj ka arsyetuar këtë duke thënë se “Kjo është Kosova”.

















