Njëri prej monumenteve kryesore të Prishtinës ai i Newborn-it që ndodhet te Pallati i Rinisë, u largua nga vendi i tij, gjatë ditës së djeshme. Këtë e bëri të ditur ideatori i tij, njëherit edhe deputet i VV-së, Fisnik Ismaili. Ismaili njoftoi përmes FB-së se Newborn-i po largohet për t’u pastruar. Por, Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, rastin e ka paraqitur në polici pasi Ismaili nuk ka marrë leje për këtë veprim.
Drejtoresha e Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Ardiana Qorraj tha për Express se zhvendosja e obeliskut newborn është paraqitur në polici pasi nuk dihet vendndodhja e tij. Dhe se për këtë zhvendosje Fisnik Ismaili nuk ka marrë leje nga instituti që e mbron obeliskun.
“Megjithëse ideatori i obeliskut Newborn nuk e ka paraqit një kërkesë me shkrim qysh e ka bë në vitet e kaluara, prej vitit 2015 që kur është monument i kulturës, atëherë është zhvendosur pa marrë leje dhe e kemi paraqitur rastin në polici, për shkak se nuk e dimë ku është”, tha Qorraj për Gazetën Express.
“Me ligjin e trashëgimisë kulturore ndalohet zhvendosja e tij pa aprovimin e institucioneve”, tha Qorraj.
Pasi ky rast është paraqitur në polici, Fisnik Ismali ka kontaktuar drejtoreshën Ardiana Qorraj duke thënë se nuk ka mundur të marrë leje për zhvendosjen e monumentit pasi që ka qenë me grip.
“Ma vonë pasi e kam paraqit rastin në polici, Fisnik Ismajli më ka thirr në telefon të paktën është paraqitur si ai për shkak se nuk e kam numrin e tij. Ka thanë që e ka marrë monumentin e vet, nuk e ka tregu vendndodhjen e monumentit, largimi i monumentit bjen në ndesh me ligjin”, tha tutje Qorraj për Express.
“E kam pas një ide, kam dashtë me realizu, kam qenë me grip nuk kam mujt me paraqit fizikisht”, ka qenë arsyetimi i Ismailit pasi ka larguar Neëborni-in pa marrë leje.
Mësohet se Ismaili kërkesën për ngjyrosjen e newborn-it gjatë viteve të kaluara nuk e ka paqitur fizikisht por e ka dërguar në mënyrë elektronike.
Sidoqoftë, Ismaili gjatë ditës së djeshme ka njoftuar në FB se Newborni po largohet për t’u gërryer nga ngjyrat dhe se ditëve në vijim do të kthehet me pamje të re.
“NEWBORN sivjet po e merr trajtimin që e ka meritue edhe e ka pritë tash 10 vjet. Po e çojmë me i gërrye ngjyrat, ndryshkun edhe papastërtinë që e ka mbledhë ndër vite. Kthehet qeto ditë edhe më i bukur, me pamje të re, që tashmë është bë traditë”, ka shkruar Ismaili në FB, transmeton Express.
Obelisku i pavarësisë, si më i vizituari në Kosovë, çdo vit ndryshon pamje për ta bërë atë më tërheqës për vizitorët vendas e të huaj. Ndryshe, newborn cilësohet si simbol i pavarësisë së Kosovës./Gazeta Express.

















