I vidhet arma deputetit të Kuvendit të Kosovës, Andin Hotit

E publikuar: 01/02/2018 14:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetit të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Andin Hotit, një ditë më parë i është vjedhur një armë në veturën e tij nga persona ende të panjohur. E gjithë ngjarja është raportuar rreth orës 15:00
Gazeta Express mëson se Hoti në veturën e tij kishte lënë një çantë dhe një revole ngjyrë të zezë me leje zyrtare, një karikator me shtatë fishek. Sipas informatave vetura nuk ishte e thyer, mirëpo dyshohet se peronat e dyshuar kanë depërtuar nga bagazhi i veturës pasi nuk ka funksionuar.

Rastin për vjedhjen e armës së Hotit, e ka konfirmuar për Express edhe Policia e Kosovës.

“Rasti është vjedhje e rëndë, dje rreth orës 15:00 ka ndodhur në rrugën “Vëllezërit Gërvalla dhe ne jemi duke u marrë me këtë rast. Nuk ka të arrestuar ende për këtë rast. Në veturën e tij ka qenë një çantë dhe një armë e cila është vjedhur,”, tha Flora Ahmeti zëdhënëse në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Express ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga deputeti Hoti, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.

Andin Hoti është djali i veprimtarit të njohur, Ukshin Hoti.

Ai në zgjedhjet e 11 qershorit arriti të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në një intervistë dhënë më parë për Express, Andini kishte deklaruar se arsyeja që zgjodhi PDK-në, ishte pikërisht për rolin e kësaj partie në proceset historike, qasja e lidershipit ndaj gjeneratës së re dhe hapësira e veprimit në kuadër të saj.