Frika e oligarkëve politik, më e madhe se Kosova

E publikuar: 21/01/2018 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mënyra e funksionimit të shtetit të Kosovës në 10 vitet e fundit, është rast për studim. Në historitë e shteteve, nuk ka shembuj ku një shtet, nën mandat dhe mbikëqyrje ndërkombëtare, të jetë degraduar dhe shndërruar në shtet kriminal. Ku njerëzit para kamerave, si në telenovela, rrëfejnë për vrasje të porositura, jo nga kushdo, por nga Presidenti, Kryetari i Kuvendit e nga Kryeministri i vendit, për të cilat askush nuk denjon të jap shpjegim. Këto rrëfime do ti kishin tronditur edhe banorët e planetit të majmunëve

Nga: Nijazi Idrizi

Shtetndërtimi i Kosovës është në krizë. Përgjegjës për këtë gjendje janë oligarkët e saj, të cilët kanë zbatuar politika të mbrapshta, nga të cilat i kanë shkaktuar vendit pasoja të mëdha, ndër të cilat janë: Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi; Asociacioni i komunave serbe; dështimi i vendosjes së rendit në veri të Kosovës; themelimi i Gjykatës Speciale etnike; dështimi i reformës së Qeverisë, gjykatave dhe i sistemit zgjedhor; falimentimi i PTK-së dhe KEK-ut; dështimi i projektit të Brezovicës dhe Trepçës; dështimi i privatizimit; dështimi i themelimit të Ushtrisë së Kosovës dhe dështimi total i zhvillimit dhe afirmimit të Kosovës si shtet demokratik. Me këto veprime Kosova ka mbetur pa politika të qëndrueshme kombëtare, me pasoja së paku për dy gjenerata.

Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë nga çlirimi e deri më sot, janë diktuar nga ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë dhe reagimi ndërkombëtar për relativizimin e saj. E gjithë kjo lojë ka përfunduar me lëshime mbi kurriz të Kosovës, të cilat i kanë fiksuar disa foto me dhëmbë jashtë të oligarkëve.
Me kalimin e kohës këto marrëdhënie kanë marr karakter personal dhe janë diktuar nga hetimet e gjykatave e sidomos nga Tribunali i Hagës dhe presioni i themelimit të Gjykatës Speciale. Hetimet për krime lufte, i kanë tmerruar oligarkët tanë, sidomos ata me të kaluar të palavdishme, të cilët nga frika e dosjeve serbe, shpejt u ulën në prehrin serb. Ata në emër të formulës simpatike të pajtimit, i “amnistuan” krimet serbe në Kosovë dhe për to nuk ushtruan as padi të faktuara, hiq ndonjë sa për t’ia mbyllur gojën familjeve që kishin dhënë dëshmi.

Mijëra deklarata të viktimave shqiptare dhe dëshmi tjera materiale të grumbulluara nëpër vite, “u futën në dhe”, madje disa u përdorën për motive të ulëta të përfitimit politik e material. Me këto veprime, ata shpresuan se do të gjejnë mirëkuptim te pala serbe, e cila do ta bëjë të njëjtën gjë. Por nuk doli kështu! Pala serbe, dëshmitë e grumbulluara për shqiptarët nga sistemi i vet i hetuesisë i paprekur në Kosovë, i deponoi si prova në të gjitha gjykatat vendore dhe ndërkombëtare. Me këto dëshmi, filloi të ndryshoj imazhi i Kosovës. Ajo gradualisht nga viktima filloi të shndërrohet në gjelat, ndërsa Serbia filloi ta përmirësoj imazhin e vet dhe ngadalë nga një shtet gjelat, po shndërrohet në viktimë.

Në anën tjetër, me dëshmitë serbe në duar dhe ato shqiptare në dhe, edhe bisedimet me Serbinë në Bruksel për rregullimin e brendshëm të Kosovës, u futën në qorrsokak. U tejkalua Pakoja e Ahtisarit, u aktivizuan gjashtë pikat e Ban Ki Munit dhe u shpërfill vendimi historik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Bisedimet” Kosovë-Serbi, i shndërruan në marrëveshje një varg temash të propozuara nga pala serbe, ndërsa pala shqiptare e zënë peng, nuk guxoi ta hap asnjë temë, madje as ato humanitare për vendndodhjen e viktimave, parat e pensioneve dhe kursimet e qytetarëve, e lëre më të shtrohet çështja e Luginës së Preshevës, e cila po zbrazet në mënyrë të heshtur.

Së fundmi bisedimet Kosovë-Serbi kanë marr karakter privat. Me marrëveshje të plotë të oligarkive, kur ato (pas gati dy dekadash) pritej të mbylleshin, me skenar të ri, po zvarriten sërish. Oligarkët e Serbisë po duan copëtimin e Kosovës, ndërsa oligarkët e Kosovës largimin e kërcënimit të Gjykatës Speciale.

Të gjitha përpjekjet për ta ndryshuar këtë gjendje, kanë ngjallur kundërshtime dhe ndërhyrje nga disa drejtime. Kjo ndërhyrje e ka ç’komcuar faktorin politik të Kosovës dhe e ka përplasur me njëri-tjetrin. Për pasojë, është segmentuar shumë tregu politik, ku në luftën për mbijetesë, liderët lokal për shkak të frikës se mund ta humbin edhe strehën e fundit të ndikimit të tyre, janë bërë të rrezikshëm.

Skenarët e protestave me bllokim të rrugëve, ngritjes së murit në mes të rrugës kombëtare në Mitrovicë, atij të trenit rus, u militarizuan me armët, nga të cilat këto ditë e vra lideri enigmatik i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Në këtë skenarë, duket vetëm një qëllim: shpalljen e shtetit të Kosovës si të paaftë për të mbrojtur jetët e njerëzve dhe legjitimimi i ngritjes së strukturave serbe të sigurisë. Vizita e ngutshme e presidentit serb Vuçiq, bashkë me fjalët e buta, e la edhe këtë mesazh.