Ymeri: S’ka kurrfarë përparimi rreth pajtimit

E publikuar: 15/01/2018 22:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish kryetari i LVV-së, Visar Ymeri, pas përfundimit të mbledhjes së Lëvizjes Vetëvendosje, ku u diskutua për gjendjen e fundit brenda organizatës, tha se nuk pret përafrim të qëndrimeve mes dy blloqeve.

“Nuk është se ka ndonjë përparim në këtë drejtim edhe pse ka mbetur që formalisht të vazhdojnë diskutimet edhe për një kohë të shkurtë. Por të paktën nga ajo që pash sot në mbledhje nuk shoh ndonjë mundësi as të përafrimit të qëndrimeve as të ndonjë marrëveshjeje”, u shpreh Ymeri, raporton “Koha Ditore”.

Sipas tij, ato probleme që janë theksuar dhe janë ngritur në publik nga njerëzit që kanë dhënë dorëheqje nga LVV-ja qëndrojnë edhe sot dhe “nuk pashë ndonjë vullnet, deri tash të paktën, që të reflektohet mbi to dhe të diskutojmë seriozisht për bashkëpunimin dhe të ardhmen e organizatës”.

“Konsideroj që LVV-ja është në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe në këtë fazë do të duhej që secili të heq dorë nga vetja për të mirën e organizatës, dhe mendoj që kjo do të ishte zgjidhja për organizatën. Por nuk e di nëse kjo do të ndodhë”, theksoi Ymeri.

Ai thotë se nuk e di se çfarë do të ndodh në të ardhmen, por tha se “deri sot çfarë diskutuam nuk pash ndonjë lëvizje”.

Ymeri thotë se për problemet të cilat janë krijuar në VV do të vazhdojnë diskutimet ditëve në vijim, ndërsa theksoi se ka probleme të brendshme që s’kanë dalë në publik.

“Janë zhvillimet e vitit të fundit brenda organizatës, disa i keni dëgjuar e disa jo, që ta kemi një këndvështrim të përbashkët për atë se çfarë ka ndodhur dhe pastaj se si duhet të ecim përpara”, tha para gazetarëve ish-kreu i VV-së, Visar Ymeri.