Të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme për qarkullim

E publikuar: 15/01/2018 12:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kërkohet nga të gjithë pjesëmarrësit që të kenë kujdes gjatë lëvizjes në trafikun rrugor

Ministria e Infrastrukturës bën të ditur se të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale në vend janë të kalueshme për qarkullim, por kërkohet përshtatje e shpejtësisë me kushtet e rrugëve dhe motit.

Ministria përmes një komunikate njofton se kanë intervenuar me kripë dhe rërë që rrugët të jenë të kalueshme.

”Gjatë natës së mbrëmshme, kur edhe kanë filluar reshjet e dobëta të borës në vendin tonë, si dhe gjatë ditës së sotshme, kompanitë për mirëmbajtje të rrugëve të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës, kanë intervenuar me kripë dhe rërë, në mënyrë që rrugët të jenë të kalueshme në tërë vendin”, bëhet e ditur në komunikatë.

Ministria e Infrastrukturës, po ashtu bënë të se në kilometrin e 13-të të rrugës N-9, Pejë – Bogë, ka patur rrëshqitje dheu dhe se edhe përkundër faktit që ekipet e mirëmbajtjes janë në terren siç njofton ministria, nuk përjashtohet mundësia për rrëshqitje të reja të dheut.

”Luten kalimtarët që frekuentojnë këtë segment rrugor që të kenë kujdes të shtuar, sikurse që kërkohet nga të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, që të lëvizin me kujdes të shtuar duke iu përshtatur kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, si dhe të kenë me vete pajisjet dimërore”, bëhet e ditur më tutje.

Ministria e Infrastrukturës njofton se ajo dhe të gjitha ekipet e saja, mbeten të përkushtuara që të sigurojnë qarkullim të lirë dhe të sigurtë për tërë pjesëmarrësit në trafikun rrugor në Kosovë, andaj kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit që të kenë kujdes gjatë lëvizjes në trafikun rrugor, në mënyrë që të ketë lëvizje të sigurtë dhe të lirë./21Media