Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një raporti ka dhënë informata në lidhje me gripin sezonal.
Sipas ISHKP-së aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë mundësia e rritjes së rasteve ekziston.
“Vala e gripit në territorin e Kosovës nuk ka pasur intensitet të lartë epidemik, ku njëri nga ndikuesit kryesor pos masave parandaluese ka qenë vaksinimi me kohë gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor i të gjitha grupeve të rrezikut”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.
Sipas IKSHP-së nga 1 tetori deri më 7 janar, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 15.737 raste të dyshimta në grip.
Numër më i madh i rasteve sipas IKSHP-së raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.
“Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit- IKSHPK deri më 10 janar 2017 janë testuar gjithsej 40 mostra të dyshimta në grip. Prej tyre 7 mostra kanë rezultuar pozitive: 1 mostër ka rezultuar pozitive në Influencën A(H1), 5 mostra në Influenca A dhe 1 mostër Influenca B”, thuhet në raport.
Gjithashtu janë testuar edhe dy mostra në virus të tjerë respirator të cilat kanë rezultuar negative.
“Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale gjatë javë së 1-rë (01-07 janar 2018) janë hospitalizuar 3 raste me status gripal dhe 3 raste me Bronchopneumonia dhe Pneumonia (ARI)”.
Ky institut ka rekomanduar që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina./insajderi/