Numri i madh i aksidenteve në trafikun rrugor është bërë mjaft shqetësues. Lidhur më këtë ka reaguar edhe Flamur Sefaj, ministër i Punëve të Brendshme.
Sefaj ka thënë se masat e ashpra të Ligjit të ri për kundërvajtjet në trafikun rrugorë do të zbatohen në përpikëri nga ana e Policisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.
Ka thënë se, ministria të cilin ai e drejton, së bashku më institucionet relevante do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë me qëllim të minimizimit të aksidenteve në trafik. Këto deklarata ministri i ka bërë në rrjetin e tij social facebook.
Ky është postimi i plotë:
Numri i madh i aksidenteve në trafikun rrugor është bërë mjaft shqetësues tash e sa kohë. Policia e Kosovës do t’i zbatojë me rigorozitet masat që dalin nga Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor. Ligji i ri i Trafikut Rrugor parasheh gjoba të ashpra, por të domosdoshme për të gjithë ata që shkelin rregullat në komunikacion.
Ministria e Punëve të Brendshme së bashku më institucionet relevante do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë me qëllim të minimizimit të aksidenteve në trafik, si përmirësimi i sinjalistikës dhe vendosja e radarëve statikë nëpër akset rrugore ku rrezikshmëria për aksidente të mundshme është më e madhe.


















