Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, thotë se edhe pas pesë vjetësh që kur është miratuar Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, gjenden në një situatë ku Oda e Mjekëve ka zero kompetenca. Por, ai zotohet se kësaj situate po i vije fundi. Ismaili i ka përgëzuar profesionistët shëndetësorë për punën e tyre që ka të bëjë rreth funksionalizmit të Odës së Mjekëve. Thotë se pas kësaj, ai është i gatshëm edhe të nënshkruaj bartjen e kompetencave. Duke shprehur shqetësimin rreth gjendjes jo të kënaqshme në shëndetësi, Ismaili kërkon angazhim intensiv prej odës së Mjekëve, sikurse edhe nga të gjitha odat tjera të profesionistëve shëndetësorë.
Postimi i tij i plotë:
Pesë vjet pas miratimit të Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, jemi një situatë ku Oda e Mjekëve ka zero kompetenca. Mirëpo, me organizimin e zgjedhjeve nga ju, kësaj situate po i vije fundi.
I përgëzoj profesionistët shëndetësorë për punën që janë duke e bërë për funksionalizimin e Odës së Mjekëve. Në momentin që Oda e Mjekëve të përfundojë me zgjedhjen e strukturave të saj dhe bëhet funksionale për të kryer detyrat që i përshkruhen sipas ligjit në fuqi, unë si ministër i Shëndetësisë jam i gatshëm të nënshkruaj bartjen e kompetencave.
Ne e dimë se sektori i shëndetësisë është në një gjendje jo të kënaqshme, prandaj prej Odës së Mjekëve dhe të gjitha odave tjera të profesionistëve shëndetësorë pritet angazhim intensiv në mënyrë që reformat të zbatohen në kohë reale.????✅ #Reforma


















