Si e ndali Inspektorati suspendimin e Nazim Sahitit pas rrahjes me Agron Mustafën

E publikuar: 10/01/2018 13:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një letër rekomandimi ku kërkohej suspendimi i Nazim Sahitit nga pozita e drejtorit të Krimeve Ekonomike, pas përfshirjes së tij në përleshjen me Drejtorin e Telekomit, Agron Mustafa, ishte bërë gati nga hetuesit e rastit që t’i dërgohej drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shpend Maxhuni. Nga shefi i Policisë pritej ta ekzekutonte vendimin për suspendim, por Gazeta Express merr vesh se kjo letër rekomandimi ishte ndaluar nga udhëheqësit e Inspektoratit. Tash e dy javë Nazim Sahiti nuk është ndëshkuar me asnjë masë edhe pse është përfshirë në këtë rrahje.
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, të cilit kishin dalë në vend të ngjarjes më 31 dhjetor kur ndodhi përleshja mes dy policëve të Policisë së Kosovës dhe Agron Mustafës në Prishtinë, kishin konstatuar se të dy zyrtarët policorë, të përfshirë në këtë rast, duhet të suspendoheshin deri në përfundimin e hetimeve.

Policia të nesërmen kishte dalë me një deklaratë për media ku njoftonte se kishte suspenduar vetëm policin Avni Berisha, ndërkohë që kishte amnistuar të përfshirin tjetër Nazim Sahitin.

Por, burime të Gazetës Express brenda Policisë së Kosovës kanë treguar se një rekomandim i tillë ishte bërë edhe për suspendimin e drejtorit të Krimeve Ekonomike, Nazim Sahitit nga pozita e tij, deri në përfundim të hetimeve.

Të njëjtat burime kanë treguar se hetuesit e inspektoratit që ishin marrë që nga dita e parë me rastin e rrahjes mes dy policëve dhe Agron Mustafës, kishin përpiluar menjëherë rekomandimin për suspendimin e Sahitit. Por, një rekomandim i tillë ishte tërhequr nga një zyrtare e Inspektoratit nën direktivat e shefit të Inspektoratit, Hilmi Mehmeti.

Gazeta Express merr vesh se udhëheqës të IPK-së ishin përkujdesur që ky rekomandim të mos bëhet i ekzekutueshëm duke marrë rastin në mënyrë arbitrare nga hetuesit e mëhershëm dhe duke ua kaluar atë disa hetuesve të tjerë.

Express merr vesh se vendimin për tërheqjen e këtij rekomandimi e kishte marrë Miradije Kelmendi, e cila është duke ushtruar detyrën e kryeshefes së inspektoratit, pasi drejtori Hilmi Mehmeti është në pushim.

I kontaktuar përmes telefonit drejtori i Inspektoratit Policor ka refuzuar të flasë për rastin, duke thënë se nuk ka se çfarë të thotë.

“Unë jam në pushim deri me datë 15 janar, s’kam çka them tjetër përveç asaj që kam thënë edhe më herët në media”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti në një prononcim për Gazetën Express të shtunën kishte mohuar se po ndikon në hetimet që po zhvillohen ndaj Drejtorit të Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti.

“I njoh të dy. Për shkak të punëve më ka rënë më shumë të rri me Agron Mustafën se sa me Nazim Sahitin. Të dy i njoh. Me asnjërin s’kam ndonjë shoqëri. Por, mund t’ju garantoj se hetimet e IPK-së do të jenë krejtësisht profesionale”, ka thënë ai.

As zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, nuk i ka konfirmuar këto informata për Gazetën Express, duke thënë se edhe ai është në pushim dhe nuk është në dijeni për rastin në fjalë.

Në disa përgjigje elektronike dërguar gazetës, Inspektorati ka sqaruar veprimet e ndërmarra nga ana e Inspektoratit, por nuk ka qartësuar përse nuk janë ndërmarrë masa ndaj Sahitit, edhe pse ai është cilësuar si i dyshuar nga ana e Prokurorisë.

“Për shkak të integritetit të procesit hetimor nuk mund të jepen detaje të tjera shtesë lidhur me këtë rast. Në koordinim të plotë me prokurorin kompetent hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të rastit, dhe në koordinim të njëjtë do të ketë edhe informacione shtesë për mediet dhe qytetarët kur një gjë e tillë nuk do të pengojë procesin hetimor”, thuhet në përgjigjet e IPK-së.

Ndërkohë, Gazeta merr vesh se ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj, ka kërkuar një raport të detajuar nga Inspektorati për rastin e Agron Mustafës, pas letrës që ky i fundit i kishte nisur ministrit i shqetësuar për ndikimet eventuale në rast.

Prokurorja e rastit në autorizimin e lëshuar për hetime ka përfshirë dy policët, Avni Berishën dhe Nazim Sahiti, si të dyshuar për rrahjen e Mustafës, pasi në media u shfaq një video në të cilën Berisha shihet teksa grushton Mustafën dhe asistohej nga Nazim Sahiti. /Gazeta Express