Kryetari Visar Ymeri, nënkryetari Dardan Sejdiu dhe disa deputetë kanë dhënë dorëheqje nga funksionet partiake në lëvizjen “Vetëvendosje”, por këtyre të fundit po u kërkohet që të dorëhiqen edhe nga funksioni i deputetit, shkruan sot Gazeta Zeri.
Sejdiu bashkë me Shpend Ahmetin dhe me disa deputetë të tjerë të lëvizjes “Vetëvendosje” kishin themeluar më parë subjektin politik FER (Fryma e Re), por pasi kishin dështuar ta kalojnë pragun zgjedhor në vitin 2010 si subjekt politik ishin shkrirë më pas në lëvizjen “Vetëvendosje”.
Pas dorëheqjeve të fundit që ndodhën në lëvizjen “Vetëvendosje” deputetja e këtij subjekti politik, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se dorëheqjet e tilla nuk i merr seriozisht derisa nuk heqin dorë edhe nga mandati i deputetit që e kanë fituar nga lëvizja. “Vetëm kur ndonjëri jep dorëheqje nga pozita e deputetit betohem se do të filloj ta marr seriozisht. Më falni, por këto letrat copy paste nuk mundem as t’i lexoj. Janë false dhe me porosi e tendencë”, kishte shkruar ditë më parë Haxhiu në profilin e saj në “Facebook”.

















