Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, është deklaruar rreth qëndrimeve të saj për zhvillimet e fundit brenda partisë.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu ka shkruar se do të kthehet në kryesi të VV-së, pas thirrjeve të djeshit të zyrtarëve të kryesisë së VV-së.
“Javën e shkuar, në mbledhjen e fundit të Kryesisë është marrë vendim që të gjithë anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga Kryesia, të shqyrtojnë vendimin e tyre me mundësinë e rikthimit. Duke pasur parasysh rrethanat, unë e konsideroj të drejtë këtë vendim”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo është shprehur se Lëvizja është duke kaluar në një periudhë jo të lehtë mirëpo që dorëheqjet nuk janë zgjidhje.
“Gjatë kësaj kohe Lëvizja ka kaluar në periudha jo të lehta dhe qytetarët në forma të ndryshme na kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi atë çfarë po ndodh në Lëvizje”, ka thënë deputetja Haxhiu.
“Meqë jemi duke kaluar këtë periudhë jo të lehtë, është e qartë se sfidat nuk rregullohen duke hequr dorë por duke u angazhuar drejtpërdrejtë e aktivisht”, ka vazhduar ajo.
Ndër tjerash deputetja Haxhiu ka treguar për dorëheqjen e saj brenda partisë dhe arsyet e rikthimit të saj në parti.
“Dorëheqja ime ka ndodhur në muajin shtator të vitit të kaluar, por sot jam më e qartë se kurrë mbi atë çka ka ndodhur e çfarë po ndodh në Lëvizje, prandaj e kam rishqyrtuar vendimin tim.
Unë do të jem në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë dhe do të angazhohem në zgjidhjen e problemit, kudo në secilin organ dhe mendoj që ata aktivistë e anëtarë që ja duan të mirën Lëvizjes, duhet të veprojnë njësoj sepse këtë ua kemi borxh qytetarëve dhe aktivistëve.
Jashtë demokracisë së brendshme dhe organeve të zgjedhura vendimmarrëse nuk mund të ketë asnjë lloj zgjidhje për cilëndo sfidë.
Gjatë javëve në vazhdim, ne na presin sfida të mëdha përfshirë këtu demarkacionin e Gjykatën Speciale dhe vetëm duke u përpjekur bashkërisht, ndalohen projektet e dëmshme për vendin dhe Lëvizja rritet e fuqizohet!”, ka shkruar Haxhiu. /Insajderi.com