Ndonëse në rrafshin teorik, këto dy interpretime të përçarjes partiake qëndrojnë të ndara, në rrafshin praktik të politikës, faktorët determinues për të cilat ato flasin, vazhdimisht janë të përzier me njëri tjetrin. Kjo do të thotë se lufta për pushtet bëhet edhe përmes dallimeve ideologjike, të cilat, ose janë vegla justifikuese të luftës për pozicione pushteti, ose nxitëse të kësaj lufte.
Natyrisht prej këtij rregulli nuk bën përjashtim as Vetëvendosja. Nisur nga fakti se, qysh prej fillimeve të saj, kjo parti ka flirtuar hapur me teorinë dhe praktikën organizative të partive komuniste, është e udhës që në shpjegimin e grindjeve të saj të brendshme të bazohemi edhe në aparatin konceptual të komunizmit.
Teza themelore e këtij teksti thotë se përçarja brenda Vetëvendosjes është shprehje e dilemës bolshevike në të cilën ndodhet kjo parti.
Cili është thelbi i kësaj dileme?
Është situata politike dhe organizative kur duhet zgjedhur në mes lidershipit kolektiv të partisë dhe lidershipit autokratik të saj. Na duhet pak histori për ta qartësuar edhe më mirë analogjinë të cilën e supozon teza e këtij teksti.
E gjithë historia e bolshevizmit rus është produkt i dilemës në mes lidershipit kolektiv të partisë dhe lidershipit autokratik të saj. Deri në vdekjen e Leninit me 1924 Partia Komuniste e Rusisë Sovjetike është drejtuar përmes udhëheqjes kolektive. Lenini ka qenë vetëm njëri nga të barabartët në këtë udhëheqje. Pas vdekjes së tij, edhe për disa vite, gjendja nuk pësoi ndryshime të mëdha. Lindja e regjimeve autokratike në Evropën e asaj kohe, fillimisht në Itali e pastaj edhe në Gjermani, nxiti tendencat autokratike edhe në partinë bolshevike. Stalini ishte njeriu që e lexoi më se miri këtë situatë dhe e përdori atë për qëllimet e tij. Hap pas hapi, përmes metodave të vrazhda, ai ia doli të eliminoj figurat e rëndësishme të udhëheqjes kolektive partiake. Në fillim kreu punë me Trockin, njeriun më të përgatitur intelektualisht të partisë, ndërsa në fund i eliminoi të gjithë të tjerët, në gjyqet e mëdha politike të viteve ‘30. Kështu lindi stalinizmi, ose zgjidhja e dilemës boleshevike në favor të lidershipit autokratik, lidership mbi të cilin, pastaj, u ndërtua kulti i personalitetit të Stalinit. Kulti i personalitetit do të thotë besimi në gjithëditurinë, gjithëmirësinë dhe pagabueshmërinë e udhëheqësit. Në fjalorin tonë patriarkalo-fisnor këtij kulti i themi “Baba”.
Vdekja e Stalinit, pas shumë vitesh terrori e sundimi autokratik, u pasua me rihapjen e dilemës së vjetër. I ashtuquajturi “destalinizim i Rusisë Sovjetike” u bë me idenë e rikthimit në praktikën e udhëheqjes kolektive të partisë dhe të sistemit shtetëror. Në atë kohë, kthesa në Moskë u reflektua në gjithë botën komuniste. Enver Hoxha, për të mos rënë viktimë e kësaj kthese, u prish me rusët, ndërsa Mao Ce Duni në Kinë, pas një tërheqje të shkurtër, ndërmori revolucionin kulturor, përmes të cilit ai mobilizoi llumin e anëtarëve të Partisë Komuniste Kineze kundër figurave të larta të saj, me të vetmin qëllim eliminimin e tyre dhe instalimin e pushtetit të vet autokratik, shoqëruar me kultin përkatës të personalitetit. Enver Hoxha vrapoi të miqësohej me Maon, sepse gjente tek ai mbështetjen që i duhej për ta fuqizuar pushtetin e vet autokratik. Në funksion të këtij qëllimi Enver Hoxha imitoi në Shqipërinë e tij të vogël Revolucionin Kulturor të Kinës së Madhe , ndërsa Ismail Kadare, në kuadër të shërbimeve të pashmangshme që duhej të bënte herë pas here për regjimin, u ul dhe shkroi poemën maoiste “ Pashallarët e Kuq”.
Ajo që sot po ndodhë në Vetëvendosje është një përsëritje, në formë të butë dhe komike kuptohet, e këtyre situatave të praktikës së partive të dikurshme komuniste.
Albin Kurti duket se ka vendosur t’i japë fund lidershipit kolektiv në Vetëvendosje dhe ta zëvendësoj atë me lidershipin e vet autokratik. Nuk është e rastësishme që fraksioni kundërshtar i tij vazhdimisht po vë theksin tek rreziku i diktatit dhe kultit të personalitetit në parti.
Nuk është e rastësishme që ky fraksion ditëve të fundit po ballafaqohet me fyerjet, kërcënimet dhe gjuhën e ndyrë që vjen nga llumi i anëtarëve dhe simpatizantëve të Vetëvendosjes. Në letrën e tij të dorëheqjes Visar Ymeri u ankua pikërisht për këtë gjuhë, por ankesa e tij nuk ishte në nivelin e përgjegjësisë morale, sepse Ymeri ka pjesën e tij të kontributit në kultivimin e gardës oruelliane të qenëve gjuhësor të Vetëvendosjes, zanati i të cilëve është të kafshojnë pamëshirë secilin që merr guximin të mendoj ndryshe prej asaj që thotë Dogma e Madhe e Partisë. Besnikëria e qenve është variabël e ndryshueshme. Kur ata çarten fillojnë t’i kafshojnë edhe robt e shpisë, thuhet në gjuhën popullore.
Llumi, duke pasur një nivel ekstremisht të ulët të edukimit politik, natyrshëm anon nga autokracia. Llumi nuk është në gjendje të konsumoj nivel të lartë të demokracisë së brendshme partiake, as debate të sofistikuara etiko-politike. Llumi kërkon një babë që na don me zemër dhe mendon për ne si për fëmijët e tij. Kurti është kandidati më serioz për këtë status dhe si duket ai edhe e beson këtë. Përfytyrimi për të si i pakorruptueshëm tanimë veç ekziston dhe vetëbesimi se është i gjithdijshëm poashtu duket se nuk i mungon. Monopoli i dijes natyrshëm e kërkon monopolin e vendimmarrjes. Monopoli mbi të vërtetat natyrshëm e kërkon monopolin e artikulimit të tyre. Këto janë gjëra të mirënjohura prej kohësh, por siç thotë Hegeli, ajo çfarë na mëson përvoja dhe historia është se njerëzit e politikës kurrë nuk kanë mësuar ndonjë gjë nga historia, e as nuk veprojnë mbi bazën e parimeve të nxjerra prej saj. Këtu qëndron bindja e pesimistëve që thonë se gabimet e të kaluarës duhet t’i presim të ndodhin edhe në të ardhmen.
E tillë pra paraqitet situata : Vetëvendosja është duke hyrë në fazën e saj të stalinizmit. Nëse kjo ndodhë viktimat janë të pashmangshme. Natyrisht, të kufizuara vetëm brenda partisë dhe për fatin e mirë të të gjithëve pa gjakderdhje. Kohërat e tragjedive politike kanë kaluar, jemi në kohërat e farsës politike, prandaj edhe kemi rastin, që në vend të lotëve të vajtimit në varreza, të derdhim lot të qeshurash, derisa pijmë espresso në ndonjëren nga kafenetë e shumta të Prishtinës.