Më shumë se 342 mijë lëndë vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura në Gjykatat e Kosovës. Këtu përfshihen, pos atyre Themelore, edhe Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme. Shifra është e bazuar në raportin e punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Zyrtarë të saj pranojnë se kjo po u shkakton probleme edhe në besimin e qytetarëve në gjyqësor.
Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende nuk ka gjetur një zgjidhje për numrin e madh të lëndëve që nuk i ka trajtuar ndër vite.
Ky ka qenë një ndër problemet kryesore, që vazhdon ta përcjellë sistemin gjyqësor qëkur mori kompetencat nga ndërkombëtarët.
342 mijë e 590 lëndë vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura në Gjykatat Themelore, atë të Apelit e në Gjykatën Supreme. Kjo është shifër e nxjerrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në raportin e punës deri në muajin shtator, 2017.
Të pazgjidhura janë edhe 31 mijë e 204 lëndë në Gjykatën e Ferizajt. Kurse,
19 mijë e 496 në Vushtrri, që është degë e Gjykatës së Mitrovicës.
Edhe Gjykata e Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës e Gjilanit kanë më shumë se 10 mijë lëndë të pazgjidhura.
Gjykata Themelore e Ferizajt – 31,204 lëndë të pazgjidhura
Gjykata Themelore e Mitrovicës, Dega në Vushtrri – 19,496
Gjykata Themelore e Prizrenit – 16,196 lëndë të pazgjidhura
Gjykata Themelore e Gjakovës – 13,444
Gjykata Themelore e Mitrovicës – 11,079
Gjykata Themelore e Gjilanit – 10,640 lëndë të pazgjidhura
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës pranon se kjo po u shkakton probleme në përgjithësi.
Por, konkurset e reja për gjykatës dhe zyrtarë ligjorë, që pritet të hapen në 2018, mund të ndryshojnë gjendjen.
Gjykimi në një kohë të arsyeshme është e drejtë e garantuar me ligj dhe Kushtetutë të Kosovës.
















