Ramush Haradinaj po ia rikthen dinjitetin Republikës dhe qytetarëve, duke u fokusuar në logjikën zbatuese, duke u dhënë shumë liri e favore bizneseve dhe duke i forcuar institucionet e sundimit të ligjit në mandatin e vet kushtetues dhe ligjor. Haradinaj megjithatë është njëri nga ne, është peng i trefishtë i traumës së lindjes së kësaj shoqërie dhe këtij shteti, lakut në fyt nga jashtë, veseve tona si inat e hipokrizi, nga brenda si dhe mosbesimit e përplasjeve që i shquan shqiptarët në luftën për pushtet, ku rëndom tentohet – jo mundja në garë – porse poshtërimi i tjetrit.
E diel, ora 21:00. Haradinaj shkon në Obiliq në KEK dhe pos që zotohet se do të ketë rrymë elektrike gjatë dimrit ai siguron se rryma nuk do të shtrenjtohet!
I bie sikur protesta qytetare pati sukses. Kjo është demokracia.
Dhe po, Haradinaj është protestues i lindur!
Porse shumëkush s’e ka këtë dert, porse duan të shprushin përplasjen e shoqërisë…
E rrogat? Pse?
Pagat në ekzekutiv ishin vënë në raport diskriminues karshi Kuvendit të Republikës dhe Presidencës, porse edhe ndaj pagave në arsimin e lartë, në borde të kompanive publike dhe në shumë agjenci shtetërore.
Madje Qeveria në këtë aspekt ishte shumë poshtë edhe krahasuar me sektorin e shoqërisë civile!
Rritja e pagave të bartësve të posteve publike në ekzekutiv është thjesht çështje integriteti.
Qeveria pa integritet është për faqe të zezë!
Nuk duan t’ia pranojnë asnjë sukses, luftëtarit politikan, sfidat e të cilit do ta rrëzonin kalanë e bërë nga guri e lëre më njeriun!
Duan ta mbajnë peng.
Sepse kjo shoqëri nuk e ka përjetuar katarsën për t’u shkëputur nga e kaluara e tmerrshme.
Një shoqëri e padrejtë dhe e prirë nga institucione pa sensin për drejtësi.
Përndryshe duhej duartrokitur për arritjen e marrëveshjes me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” që siguron investime te kompanisë amerikane prej 1.3 miliard euro dhe e cila pas finalizimit ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe për popullin e Kosovës, duke mundësuar që në ndërtimin e saj të punojnë 10 mijë vetë, kurse 500 vetë në punën permanente.
Marrëveshje e mbajtur nëpër tavolina plot 18 vjet.
Nuk duan t’i thonë faleminderit kryeministër as për procedimin e Ligjit për Prishtinën, që mafitë lokale e kishin “mbajtur jashtë” Kuvendit për 18 vjet sepse po humbej kontrolli mbi feudet!
Nuk duan të dëgjojnë as për Pallatin e Rinisë që Haradinaj po ua kthen atyre që e ndërtuan me mund e flijime, duke ndarë kafshatën e gojës qytetarëve prishtinas.
Por shumë kosovarë nuk duan të shohin asgjë bardhë sepse dikush ua ka nxirë jetën dhe jo vetëm vizionet.
Dhe opozita aktuale është çmistue në përbuzje të çdo gjëje që tjetri ia del.
Sepse në këtë shoqëri t’i falin të gjitha (edhe gjakun) pos suksesit.
Së pari kryeministri Haradinaj është ndër të rrallët lider që kërkimfaljen e ka për zemër.
Ai është ndër të rrallët liderë kosovarë dhe ballkanikë që në dy raste kërkoi falje publike.
Së pari u kërkoi falje gazetarëve dhe bëri mirë, ndonëse nuk ishte këshilluar për këtë.
Së dyti u kërkoi falje kosovarëve dhe veçmas viktimave që janë ndier të lënduar – në emër të një ish-luftëtari, duke dëshmuar se njerëzit e mëdhenj kërkojnë falje kurse të vegjlit vëng për zënka.
Për çka është akuzuar dhe cilat janë dështimet e tij?
Në këtë konstelacion forcash jo të gjithë funksionojnë sipas një etike të pushtetit.
Prandaj dështimi më i madh për Haradinajn natyrisht se ishte numri i madh i zëvendësministrave për çka ai asnjëherë nuk është lavdëruar.
Mirëpo ai ka një zotim: Do t’u gjejë punë të gjithë atyre në dikasteret përkatëse dhe do t’u kërkojë llogaridhënie.
Dhe për ta shmangur këtë Qeveria me propozim të Haradinajt ka marrë nismën për ta bërë Qeverinë me ligj, 10 vjet pas pavarësimit të vendit.
Haradinaj është luftëtar dhe ai natyrisht se kategoritë e dala nga lufta i ka “Thembër Akili”, mirëpo ka bërë shumë mirë që atyre kategorive ua ka rikthyer dinjitetin.
Falja e borxheve të ambalazhuesve të ujit nuk u është bërë “marsianëve”, porse njerëzve të Kosovës që kanë maksimum 15-20 të punësuar, borxhe këto që shteti nuk ka qenë i aftë t’i mbledhë në mënyrë efektive, porse ka vepruar me masa administrative duke ua bllokuar xhirollogaritë ambalazhuesve të ujit.
Falja e atij borxhi ka mundësuar rikthimin e tyre në jetën ekonomike duke startuar me pagesën e taksave me rregull.
Punëtorët nuk e kanë humbur punën.
Askush s’ka humbur asgjë.
Kryeministri Haradinaj është akuzuar nga një pjesë e opozitës parlamentare se në Bruksel ka shkuar pa flamurin e Kosovës, porse kjo akuzë flet më shumë për injorancën e thellë ku vegjetojnë disa deputetë sesa për të bëmat e Haradinajt.
BE-ja si organizatë nuk e ka njohur Kosovën e pavarur, porse e kanë njohur veç e veç shumica e shteteve anëtare. Pra Kosova në Bruksel si seli e BE-së nuk paraqitet me flamur, kurse në po të njëjtin Bruksel – kryeqytet belg, Kosova është e përfaqësuar si çdo shtet tjetër svran.
Haradinaj megjithatë është lideri i parë që në Bruksel i thotë hapur përfaqësueses së lartë për Siguri, Federica Mogherinit, se aty duhet të jetë edhe flamuri kosovar dhe në të dyja rastet e vizitës në selinë e BE-së Haradinaj e mban si distinktiv flamurin e shtetit të tij.
Dhe merr lëvdata për zbatimin e MSA-së dhe vitin që vjen kjo i mundëson atij të aplikojë për statusin e vendit kandidat.
Haradinaj është akuzuar se “po na prish” me botën, kryeministri i parë në historinë e Kosovës që hapur në përballje me Mogherinin kërkon përfshirjen e SHBA-së si garantuese e marrëveshjeve që dalin nga dialogu me Serbinë.
Kosova është në një proces delikat, sepse është proces trekahësh, integrimet veriatlantike dhe miqësia e përhershme me Amerikën.
Haradinaj është akuzuar se nuk po bëhet ushtria, mirëpo ai e ka të qartë se bërja e ushtrisë me ligj e largon Kosovën nga afria me NATO-n, kurse bërja e saj me ndryshime kushtetuese, sipas rekomandimit të aleatëve strategjikë të saj, Kosovën e shpie në NATO.
Dhe, Haradinaj është akuzuar gjatë nga disa mendje të errëta e të pafokusuara në fakte për refuzimin e Marrëveshjes për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi.
Qeveria paraprake e koalicionit i kishte 89 numra në Kuvend dhe kurrë kjo marrëveshje nuk u soll në Kuvend për ratifikim sepse thjesht i ikej barrës së përgjegjësisë.
Nuk na kanë lënë, kanë hedhur gaz etj. Po thonë eksponentë opozitarë të sotëm, porse po harrojnë se për çështje pushtetore gjendeshin edhe salla alternative për t’i ikur gazit dhe “zullumit” të opozitës.
Moral i dyfishtë.
Haradinaj pas dy vjetësh e gjysmë e riktheu procesin e demarkacionit në tavolinë dhe do ta përmbyllur në mënyrën më të favorshme për vendin dhe në kohën më optimale të mundshme.
Me Malin e Zi janë ruajtur marrëdhëniet e shkëlqyeshme dhe në këtë hov e për t’i dhënë zgjidhje të pranueshme nga dyja palët çështjeve të hapura kryeministri i Malit të Zi Markovic vjen në janar në Prishtinë, në vizitë zyrtare në Republikën e Malit të Zi.
Ndërsa marrëveshja është në Kuvend edhe me votën pro të qeverisë “Haradinaj”.
E, deputeti i zgjedhur nga populli sipas Kushtetutës nuk i nënshtrohet asnjë mandati tjetër pos bindjes dhe ndërgjegjes së tij.
Dhe dashtë, le të mos i duartrokasin për asgjë.
Sepse mundet – nëse përdorim gjuhë proverbial – për t’iu rritur mendja!
“Amnesty International”, më 13 dhjetor 2017 ka prezantuar raportin “Plagë që të djegin shpirtin”, në të cilin u shpalos ndikimi shkatërrues fizik dhe psikologjik që u është shkaktuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Një kryeministër i tillë në Londër do të quhej kryeministër i suksesshëm. E falënderojmë shumë për punën që ka bërë për dëmshpërblimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. … “, tha Sian Jones nga “Amnesty International” gjatë prezantimit të raportit për gratë e dhunuara në Kosovë.
Megjithëse Haradinaj e ka fituar garën politike, në demokraci pushtetet janë të ndara, që sonte Albin Kurti do të ishte i lirë!
(Autori është këshilltar politik dhe për medie i kryeministrit Ramush Haradinaj).