Siguria është thelbi i vitit 2018. Stabiliteti është themelor për vitin e ri. Qëndrueshmëria është treguesi bazik, ndërsa zhvillimi është kërkesa më elementare.
Kështu mund të precizohet me pak fjalë pothuajse gjithçka që mund të sillet këndej pari në periudhën e re 12 mujore.
Në dimensionin e brendshëm, Kosova e vitit 2018 do të vazhdojë të jetë e sfiduar. Është e qartë se një grumbull sfidash të mbledhura me vite të tëra meritojnë të zgjidhen dhe të marrin adresim të saktë institucional.
Dhe, këtu nuk duhet parë vetëm çështjet e mëdha, të cilat po e përcjellin Kosovën në vitet e fundit. Porse, problemet serioze të përditshme të qytetarëve të Kosovës kanë të bëjnë me sigurinë publike, drogat, vandalizmin, krimet ordinere, bashkëpunimin me institucionet e sigurisë, dënueshmërinë e kryesve të veprave penale.
Mbi këtë nivel, sigurisht se kemi çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën si të tërë, Kosovën si shtet.
Procesi i dialogut me Serbinë, në Bruksel, është një prej çështjeve të tilla që vazhdon të sfidojë Kosovën nga brenda më shumë se nga jashtë. Konsensusi i domosdoshëm për qasjen dhe platformën kosovare në këto bisedime nuk është arritur ende. Si të tillë, elita politike e ka për obligim të ndërtojë angazhimin e përbashkët. Nuk është ky proces që duhet kthehet në çështje ndarjeje politike e qytetare brenda Kosovës. Përkundrazi, ky proces do të duhej të shërbejë si një prej urave lidhëse midis elitës politike të të gjitha ngjyrave në Kosovë.
Integrimi i komunitetit serb në Kosovë edhe më tutje vazhdon të jetë me pengesa. Pavarësisht faktit se një numër i madh i këtyre pengesave tashmë janë tejkaluar apo zgjidhur, ky komunitet si i tërë vazhdon të mbahet peng i politikave dekonstruktive të Serbisë.
Kompletimi i Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare të Kosovës është një domosdoshmëri e plotë gjatë vitit 2018. I lidhur kryesisht me transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky proces të marrë epilog gjatë vitit 2018. Një vendim institucional në muajt e ardhshëm do të mundësojë që Kosova të ketë kapacitetet e plota ushtarake brenda periudhës 7-10 vjeçare, që përputhet pothuajse plotësisht me aftësimin e Kosovës në përballje të sfidave dhe kërcënimeve të reja të sigurisë.
Në dimensionin e jashtëm, Kosova nuk ka arritur të fuqizojë subjektivitetin e vet ndërkombëtare përmes anëtarësimit në organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Sigurisht që kjo është vetëm njëra prej mënyra të subjektivitetit, porse është shumë e rëndësishme. Një numër shtetesh që e kanë njohur Kosovën si shtet do të duhej të jenë target i diplomacisë kosovare, në mënyrë që problematikat e shkaktuara gjatë viteve të fundit të mos ndikojnë në votën e tyre për ulësen e Kosovës nëpër këto organizata. Thjesht, Kosova duhet t’i kthehet dhe të fuqizojë prezencën e vet edhe në disa prej shteteve që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, por nuk kanë relacione krejtësisht promovuese për të.
Sfidimi i radhës ndaj Ballkanit, përfshirë këtu edhe ndaj Kosovës, vjen nga ajo që dikur njihej si “Perandoria e Kuqe”, por që sot ka rimarrë hov në pretendimet neo-perandorake. Prezenca, infiltrimi dhe ndikimi rus edhe në Kosovë është një prej kërcënimeve reale dhe të mëdha të shtetësisë së Kosovës. Objektivat ruse në Kosovë janë saktësisht të kundërta me objektivat dhe interesat nacional të Kosovës, prandaj një qasje gjithëpërfshirëse për diskreditimin e ndërhyrjes ruse është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Në tërësi, viti 2018 nuk është një fushë me lule. Nisja e asaj që e njohim si Gjykatë Speciale do të mund të shkaktojë goditje, nëse jo tronditje ndaj Kosovës. E padrejtë dhe pa synim vendosjen e drejtësisë, kjo Gjykatë sigurisht se do të kthehet në një prej sfidave serioze.
Sido që të jetë, edhe viti 2018 përfundon. Kjo është e sigurt.