Presidenti i bën rikapitullim 2017’ës, s’i përmend zhvillimet rreth Speciales

E publikuar: 29/12/2017 17:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

2018, viti i dhjetëvjetorit të parë të shtetësisë së Republikës së Kosovës

 
Jemi në prag të festës së fundvitit dhe të gjithë mirëpresim momentin që të mblidhemi në familjet tona, me miqtë më të mirë për të ngritur nga një dolli. Unë dua që ju t’i mbushni gotat tuaja, duke uruar për më shumë mbarësi në vitin që po vjen. Në këtë kohë të ndërrimit të moteve, kur për disa momente pushojmë pak, të rrethuar nga më të dashurit tanë dhe të larguar nga përditshmëria, të gjithë e gjejmë veten në një kohë të reflektimit. Prandaj, edhe unë dua të ndaj me ju disa momente reflektimi për vitin që po lëmë pas dhe vitin e ri 2018.
 
Dy ngjarje nga viti 2017, njëra në fillim dhe tjetra në fund, janë pasqyrë e gamës së gjerë të ngjarjeve që e kanë karakterizuar këtë vit që po lëmë pas. Në janar u përballëm me një provokim irritues dhe irracional me nisjen e trenit me parulla nacionaliste nga Beogradi në drejtim të Kosovës, i cili nuk e arriti cakun, por gjithsesi shërbeu si një rikujtim i brishtësisë së paqes dhe stabilitetit. Ndërsa, krejt në fund të vitit, në pjesën e dytë të dhjetorit 2017, erdhi lajmi i mrekullueshëm i nënshkrimit të marrëveshjes për një nga investimet e huaja direkte më të mëdha në Kosovë dhe rajon. Kompania amerikane “Countour Global” do të investojë me një shumë prej 1.3 miliard euro në projektin e termocentralit “Kosova e Re”, dhe do të hapë 10.000 vende të reja të punës.
 
Ndërmjet këtyre dy ngjarjeve kemi pasur një vit të plotë me peripeci nga më të ndryshmet.
 
Asnjë përshkrim i periudhës të së kaluarës sonë të afërme nuk do të ishte as përafërsisht i saktë nëse nuk thuhet qartë se kemi përjetuar disa momente jo të lehta në rrafshin politik. Përveç zgjedhjeve lokale të parapara, ne u përballëm edhe me zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Unë jam i lumtur për faktin që sivjet kemi pasur dy palë zgjedhje, të cilat kanë qenë të organizuara mirë, të lira dhe demokratike. Por, kjo nuk e mohon faktin se përsëri kemi pasur vazhdim të përçarjeve të brendshme, përshkallëzim të retorikës, e cila më së paku i shërben qytetarit dhe interesit shtetëror. Disa mund të thoshin se këto janë “dhimbjet e rritës”, të rritjes sonë si shtet dhe si një shoqëri demokratike. Por, kjo rritje duhet të përcillet me pjekuri. Kosova nuk e ka luksin të shpenzojë energji e kohë në debate të pafundme rreth emrave të përveçëm, personaliteteve, partive, rrymave, grupeve të ndryshme të interesit, etj. Kosova nuk ka mungesë të problemeve e temave jetike që të humbim edhe një vit për betejat e vogla të brendshme. Ky vit do të mbahet mend më shumë për atë se jemi marrë shumë me vetveten, por jo në mënyrë konstruktive. Nuk e përjashtoj se kjo mund të jetë e influencuar edhe nga faktorë të jashtëm, por, rezultati dhe përgjegjësia na mbesin ne.     
 
Para vetes kemi një vit të rëndësishëm. Është viti kur do të shënojmë dhjetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një dekadë shtetësi duhet të paraqes një mundësi të jashtëzakonshme. Ne duhet të jemi të fokusuar në interesin tonë shtetëror të përbashkët dhe t’i qëndrojmë besnik qëllimit tonë të konsolidimit të shtetit dhe të përfundimit të detyrës sonë të përbashkët të forcimit të funksionit të shtetit, përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarit, përmirësimit të pozitës së vendit tonë të rajon dhe botë. E them nga vetë përvoja ime jetësore, bazuar edhe në karrierën politike të mbushur me ballafaqime e vështirësi të shumta, se vetëm vizioni, puna ekipore, vetëbesimi, përgatitja, morali, përkushtimi dhe qëndrimi besnik ndaj qëllimit përfundimtar na  nxjerr në pozitë të volitshme.
 
Nuk do të ketë festim më të denjë të dekadës së parë të shtetësisë se dhënia fund e paqartësive të brendshme, përmbushja e obligimeve ndërkombëtare dhe rrjedhimisht përfundimi i izolimit, duke përfituar nga liberalizimi i vizave. Duhet ta përfundojmë punën e mbetur për përfundimin e procesit të reformës zgjedhore, avancimin në punën e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe përfundimin e fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes njohjes së ndërsjellë dhe përfundimit të pengesave bilaterale në procesin e anëtarësimit në BE dhe NATO.
 
Të gjitha këto veprime do të rezultojnë në një përshpejtim të zhvillimit të mëtutjeshëm politik e ekonomik dhe do të ndikojnë në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve tanë. Si rrjedhojë, do të hapen rrugët për përmbushjen e standardeve evropiane në të gjitha fushat relevante, sepse qëllimi ynë strategjik është anëtarësimi në BE dhe NATO. Standardet e BE-së, por edhe kërkesat e procesit të anëtarësimit në NATO, kanë qenë pjesë organike e çdo hapi në shtetndërtimin e vendit tonë.
 
Fokusi duhet të jetë tek detyrat tona të përbashkëta të ndërlidhura me zhvillimin politik, konsolidimin e mëtutjeshëm të institucioneve, vazhdimin e reformës së administratës publike, reformat e mëtutjeshme në gjyqësor dhe tek përforcimi i sundimit të ligjit. Po ashtu, duhet çuar më tej reformat në qeverisjen ekonomike dhe reformat tjera strukturore në përputhje me kriteret ekonomike të BE-së, përkatësisht për të siguruar një ekonomi të tregut të lirë që është në gjendje të përballojë presionet konkurruese të tregut të vetëm të BE-së. Ne duhet edhe më tej të punojmë drejt krijimit të kushteve ekonomike për të rritur produktet dhe eksportet tona, për të tërhequr investime të huaja dhe për të integruar bizneset e Kosovës në tregjet ndërkombëtare. Në këtë drejtim kemi pasur edhe suksese, dhe këtë e dëshmon edhe raporti i Bankës Botërore i të Bërit Biznes, që doli së fundmi në të cilin Kosova shënoi një përmirësim të ndjeshëm në renditje, nga vendi i 60-të në atë të 40-të. Por, të mos harrojmë, ende kemi dobësi që duhen eliminuar. Ende kemi probleme me ekonominë joformale dhe mbledhjen e të ardhurave, që ndikojnë në financat tona publike. Niveli i inovacionit dhe cilësia arsimore duhet të përmirësohen. Nuk duhet harruar që Kosova ende vazhdon të ketë një shkallë të lartë të papunësisë, që mund të zbutet dukshëm nëse me seriozitet i qasemi së bashku reformave të nevojshme. 
 
Shpesh ndjehemi të zhgënjyer që procesi i integrimit evropian nuk është më i shpejtë. Vonesat po krijojnë hapësirë për aktorët tjerë të cilët përpiqen të cenojnë vlerat tona civilizuese perëndimore. Në këtë situatë, ne nuk kemi ndonjë dilemë apo alternativë. Ka përfunduar koha e hamendjeve. Gjithçka është e qartë se si do të arrihet ky qëllim. Porositë për këtë temë nga Brukseli dhe kryeqytetet e të gjithë aleatëve të shtetit tonë janë të qarta dhe ne duhet t’i ndërmarrim hapat tanë. 
 
Prandaj, uroj që të gjithë së bashku të gjejmë energjinë që të përballemi me të gjitha këto tema të rëndësishme. Nga dita e fundit e vitit që lëmë pas, në ditën e parë të vitit të ri, jemi të njëjtit njerëz, me po të njëjtin fat, me të njëjtat mundësi e sfida para vetes. Por, e mira është që ne vetë jemi ata që e kemi mundësinë t’i ndryshojmë gjërat për të mirë. Prandaj, uroj që secili qytetar, ne bashkë si shoqëri, të punojmë sa më shumë që në vitin që vjen, t’i influencojmë gjërat pozitivisht në vetvete në rrethin tonë dhe për shtetin tonë.