Pasi Komuna e Deçanit i kërkoi MAPL-së interpretim për një komitet të saj të themeluar, Ministria kërkoi që të ketë barazi gjinore në të.
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal i ka kërkuar Komunës së Deçanit që të ndërmarrë veprime konkrete që Komiteti për Politikë dhe Financa të jetë në harmoni me Ligjin për Barazi Gjinore.
Komuna e Deçanit ka kërkuar nga interpretim nga MAPL-ja në lidhje me themelimin e këtij komiteti, por ka marrë përgjigjen se ai nuk është në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore.
“Ky vendim nuk është në përputhje me Ligjin Nr.05/L-020 për Barazi Gjinore, nenin 6, paragrafin 7 dhe 8”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Komunën e Deçanit.
Ministria në përgjigje tregon se çfarë thuhet në këtë nen dhe paragrafët e tij.
“Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji”, thuhet në sqarimin e ministrisë.
E një përfaqësim i barabartë sipas MAPL-së arrihet kur sigurohet përfaqësimi minimal prej 50% për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese e vendimmarrëse.
MAPL ka kërkuar që brenda 30 ditëve, Komuna e Deçanit të ndërmarrë veprime konkrete në lidhje më këtë vendim.
“Bazuar në të cekurat më lartë, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, kërkon nga Kuvendi i Komunës dhe Kryetari i Komunës së Deçanit që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi, brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, thuhet tutje në përgjigjen e MAPL-së për Komunën e Deçanit.
Për respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore, MAPL-ja së bashku me Agjencinë për Barazhi Gjinore u kanë dërguar shkresë shpjeguese të gjitha komunave.


















