Lekaj i reagon Avdullah Hotit: 100 ditë të Haradinajt, sa 100 vjet të Isa Mustafës

E publikuar: 26/12/2017 22:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i është kundërpërgjigjur kritikave të Avdullah Hotit, shef i grupit parlamentar të LDK-së. ​Lekaj në Facebook ka shkruar se qeveria e Isa Mustafës, ku ministër ka qenë edhe Hoti ia ka humbur tri vjet Kosovës sikur të mos ekzistonin.
“Hoti në teori e nëpër studio televizive “hot” i nxehtë, por tre vite ia kanë humbur Kosovës, sikur të mos ekzistonin fare.Të gjitha temat për të cilat Avdullah Hoti po thotë se janë shkelje ligjore, kanë pritur në sirtarët e tyre dhe nuk kanë gjetur zgjidhje asnjëherë”, ka shkruar Lekaj.

Ai ka akuzuar këtë qeveri edhe për moszgjidhjen e problemit me energji, dështimin në termocentralijn Kosova e Re, dhe tema të tjera.

“Duke filluar me energjinë elektrike, Shipitullen dhe Haden, ky Avdullah është ai i cili e ka rrezikuar Kosovën me terr energjetik dhe tre vite se kanë zgjidhë këtë çështje, ndërsa qeveria Haradinaj për vetëm 100 ditë ju dha zgjidhje jo vetëm çështjes së energjisë por edhe çështjes për pensione të veteranëve të luftës e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të saj. Ishte publike dhe kishte pjesëmarrës edhe ish kolegë ministra të Avdullahut kur u nënshkrua “Kosova e Re”, mbi një miliard euro investim me mbi 10 mijë të punësuar, investim që do ta forcojë pavarësinë e Kosovës, edhe ky projekt ka qenë i lënë anash nga ish’at. Zgjidhje për 100 ditë qeveria Haradinaj ju dha edhe temave që kanë të bëjnë me infrastrukturë, nga dinamika e tij janë zhbllokuar të gjitha projektet e mëdhaja të autostradave. Qeveria Haradinaj sot i ka dhënë seriozitet përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, shkruan ministri Lekaj.

Lekaj pretendon se qeveria Haradinaj është më me peshë në 100 ditët e saj, se sikur Isa Mustafa të kishte qëndruar 100 vjet si kryeministër.

“Qeveria Haradinaj për 100 ditë është ma me peshë se 100 vjet të Ises po t’ia mbërrinte me qendru në krye të ekzekutivit. E dashtën “Avdullahat” ose Jo, kjo qeveri do ta shtyjë përpara Kosovën, aty ku ka “kritika” është mëse e sigurtë se ka pasur punë, sepse në të kundërt ne e kemi rrëzuar ish qeverinë për mos punë, dhe kjo i djegë mëse shumti z.Avdullah. Na vjen keq prej Kosovës që ka humbur tre vjet më një qeveri siç ka qenë ajo ku Abdullahu ka qenë ministër. Na vjen mirë që këta nuk kanë mundesi të stagnojnë edhe me tutje Kosovën duke mos marrë vendime”, shkruan në facebook Pal Lekaj.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se kryeministri ka bërë shkelje dhe për këtë mund të ketë pasoja. Ai ka akuzuar qeverinë Haradiaj se nuk ka punuar asgjë gjatë këtyre 100 ditëve.