Mungesa dy herë e kuorumit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, e bëri të pamundur mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciales që ishte kërkuar nga 43 deputetë.
Por, një iniciativë e tillë nuk përjashtohet mundësia që të shkojë përsëri në Kuvend pasi deputetët të kthehen nga pushimet.
Në mesin e 43 deputetëve që nënshkruan për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të shfuqizohej Specialja, ka qenë edhe Blerim Kuçi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Deputeti Kuçi ka sqaruar për lajmi.net se AAK-ja gjithmonë do të votojë kundër kësaj Gjykate, duke e cilësuar si të dëmshme në formën që e ka aktualisht.
Ai e cilëson formimin e kësaj Gjykate si një nga vendimet më të dëmshme të Kosovës.
“Sa herë që vie në Kuvend kjo temë në kohën e duhur ne do t’i kemi votat kundër kësaj Gjykate Speciale në formën qfare është sot, çfare është votua dhe që është në fuqi. Jemi të bindur se njëri nga gabimet më të mëdhaja që ka bërë Kosova si shtet është edhe kjo formë e gjykatës që është sot”, thotë Kuçi.
Ai tutje ka thënë se forma e kësaj gjykate do të jetë e dëmshme edhe për gjithë historinë e Kosovës.
“Të jemi të qartë është e dëmshme për komplet shoqërinë kosovare edhe në aspektin historik. Ne nuk i ikim drejtësië, por kjo formë e fuqisë së kësaj gjykate është e dëmshme edhe për të ardhmen dhe për historinë tonë”, ka thënë Kuçi.
Deputeti i AAK-së ka thënë se nuk e ka ndonjë informacion se si do të vazhdohet tutje me këtë temë, por që thekson rëndësinë që trajtimi i shfuqizimit të Speciales të bëhet në kohën e duhur.
“Vetëm është me rëndësi që të vie në kohën e duhur pasi edhe kjo temë i ka disa kufijë. Nuk e jemi në dijeni si do të shkojë më tutje me këtë çështje”, ka përfunduar Blerim Kuçi.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e vendosur që nuk do ta përkrahë një gjë të tillë.
Kurse Vetëvendosja ka thënë se është kundër Speciales, por që nuk ka treguar për votën e saj nëse shfuqizimi i kësaj gjykate shkon në Kuvend.