Hoxhaj shpreh shqetësim për qasjen përjashtuese ndaj Kosovës në strategjinë e re të BE-së për Ballkanin

E publikuar: 20/12/2017 14:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një draft i strategjisë së BE-së për vendet e Ballkanit, i cili ende nuk është final dhe i zyrtarizuar po i garanton Serbisë dhe Malit të Zi avancim në negociatat për anëtarësim në BE.
Shqipërisë dhe Maqedonisë nisje të negociatave për anëtarësim, kurse Bosnjës mendim pozitiv për të marrë statusin e kandidatit. Në anën tjetër, aty nuk flitet për planet e BE-së për Kosovën, përveç se rekomandohet vazhdimi i dialogut për normalizim, shkruan Express.

Në lidhje me këtë, zëvendës kryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj ka thënë se e ka parë një draft strategji të BE-së ku flitet se kush dhe kur mund të anëtarësohet në BE.

“Është e habitshme se si është bërë një lloj balance në mes të Serbisë dhe Malit të Zi. Në pikëpamjen time Mali i Zi është shumë para Serbisë në këtë proces. Unë nuk e kuptoj se si Bashkimi Evropian ka bërë një gjë të tillë kur dihet se Mali i Zi ka bërë shumë reforma”, ka deklaruar Hoxhaj.

Hoxhaj theksoi se edhe komunikatën e lëshuar pas takimit të kryeministrave, por edhe këtë dokument e sheh me shqetësim të madh sepse nuk ka kurrfarë qartësie sa i takon marrjes së statusit të kandidatit.

“Prandaj edhe qëndrimi i Kryeministrit Haradinaj dhe qëndrimi ynë si qeveri që në vitin 2018, në atë moment kur ta zbatojmë Agjendën Evropiane të Reformave, nëse tregojmë progres të kënaqshëm, duhet të aplikojmë për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në mënyrën e njëjtë siç e ka bërë Bosnja vitin e kaluar, dhe u pa që një gjë e tillë funksionon”, ka deklaruar më tutje Hoxhaj.

Ai tha se për Kosovën është koha e fundit që të aplikojë për statusin e kandidatit.

“Statusi i kandidatit jo vetëm që do ta avanconte pozitën tonë si vend, në raport me Bashkimin Evropian, por do të ishte edhe testi i fundit që pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, të vendosin se a do ta njohin Kosovën apo nuk do ta njohin kurrë”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj shpjegoi më tutje se kur të aplikojë Kosova për statusin e kandidatit, parlamentet nacionale të vendeve anëtare të BE-së, duhet ta aprovojnë një gjë të tillë. Hoxhaj tha se këtu është pikërisht momenti kur ata duhet të marrin vendim se si do t’i qasen Kosovës në të ardhmen.

“Jam ithtar i asaj që sapo ta zbatojmë Agjendën e Reformave të ndërmarrim veprime konkrete, të aplikojmë për statusin e kandidatit qoftë edhe në mënyrë të njëanshme dhe ta vëmë BE-në para aktit të kryer”, shtoi Hoxhaj.

“Mendoj se për shumë reforma dhe punë që kemi kryer nuk jemi shpërblyer sic duhet, megjithëse ka pasur raste kur edhe ne kemi ngecur në zbatim të kritereve, sic është puna e demarkacionit”, ka përfunduar Hoxhaj.