Feston ditëlindjen e 113-të, sipas tij sekreti për jetëgjatësi është shumë i thjeshtë (Foto)

E publikuar: 14/12/2017 21:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Francisco Nunez Olivera nga Badajoz i Spanjës, ka festuar ditëlindjen e 113-të, duke u bërë kështu njeriu më i vjetër në botë.

Sekreti për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, ai beson se është ngrënia e perimeve që i mbjellë vet në kopsht dhe pirja e një gote verë, çdo ditë, transmeton Telegrafi.

Babai i katër fëmijëve, nëntë nipave dhe 15 stërnipave, e ka nisur ditën me një tortë të lehtë dhe një gotë qumësht, ndërsa ka nisur të lexonte urimet e shumta që i arritën për ditëlindje.

Ky njeri që ka një vëlla dhe një motër 97 dhe 93-vjeçare, gjatë muajit gusht është bërë njeriu më i vjetër në botë, pasi Yisrael Kristal u nda nga jeta.

Me familjarë para tri vitesh

Fermeri i pensionuar, që për një kohë ka shërbyer në ushtri, deri në moshën 107-vjeçare dilte vetëm për të bërë xhiro në fshat, por tani i nevojitet një shoqërues.

Sipas të afërmve, ai është dërguar në spital vetëm dy herë në jetë, ndërsa kur mbushi 98 vjet, nisi të lexonte sërish pasi iu nënshtrua operimit për largimin e kataraktit.

Veçanti tjetër është se Olivera, është një nga 30 personat që kanë mbi 90 vjet, në fshatin ku jetojnë 2,300 banorë.

“Është shembull i gjallë, se sa gjatë jetohet me produkte të freskëta, në ambient të pastër dhe pa ndotje, si dhe pa stresin e shkaktuar nga puna”, ka thënë e bija tij.

Në anën tjetër, gjatë një interviste që ka dhënë ai para disa vitesh, kishte thënë se e di që është i vjetër, por dëshiron që ende të jetojë. /Telegrafi/