Një jetë, intelektuali humanist kërkon parimin e së drejtës që mund të përmblidhet në moton: të sillesh ndaj të tjerëve sikur do të sillen të tjerët ndaj teje. Këtë parim, më shumë se të tjerët, intelektuali e ka edhe mision që ta përcjellë në komunikimet publike. Por, ai zyrtar, për të qenë korrekt, sikur që është edhe njeri e njerëzit, pak a shumë “janë të prirur të keqpërdorin detyrën zyrtare politike apo shoqërore për përfitime personale”, nuk është i vullnetshëm „të pranojë“ kulturën e përfitimit personal, por vetëm “sakrificën në misionin e tij të detyrueshëm patriotiko-profesional”. Mbasi , “nuk është korrupsioni i qytetarëve ai që shkatërron sistemin politik, por është sistemi politik ai që i korrupton dhe i shkatërron qytetarët” (C.Friedrich).
…
Intelektuali jo vetëm tash në Kosovë, po edhe në sistemin autoritar, i ka dhënë dhe i jep hov zhvillimit të korrupsioni etik, e legjitimon dhe ai “shtrihet duke zbehur jo pak vlerat morale”. Etika, e cila fokuson dallimin e së mirës nga e keqja, ky sistem vlerash morale, është “e lartë” në një ambient që vazhdon të bëjë be në stilin shpengues: “Pasha nderin!”, “Pasha besën”’ „Pasha kryet e Ibrahim Rugovës a të Adem Jasharit…“. Edhe ndera edhe besa që s’janë tjetër vetëm jondershmëri dhe jobesnikëri e folësit në këtë rast, modelojnë strukturën e të menduarit etik thellësisht të korruptuar. Beja provon të marrë rolin e shpagimit të korrupsionit etik në veprimet publike, veçmas në politikë dhe qeverisje. Andaj, në këto vite të fundit, në shoqërinë shqiptare të Kosovës kishte aq shumë lavdërime për patriotizëm nga ata që nuk ishin dhe as kishin bërë gjë patriotike, kishte shumë fjalë për nderin nga ata që nuk janë fare të ndershëm dhe për këtë njihen botërisht dhe paraqitje si të dijshëm nga ata që hapur shihet se nuk janë tjetër veç të padijshëm dhe përfitues dhe mashtrues politikë.
Ky profil intelektuali i korruptuar vendimmarrës, ridimensionon moralin e vet kur voton qeveritarët e korruptuar, të cilët pastaj zgjedhin vartës të korruptuar dhe të padije dhe ata vazhdojnë po kështu të zgjedhin ende vartës më të korruptuar ende më të padijshëm, sa në këtë hierarki, ai më i fundmi zë vend me sjelljen dhe veprimin e një “parainstitucionalisti” zyrtar (me tesha mendafshi, kokë të rruar e revole në brez). Gjithë ky rreth, ka mjet dhunën dhe agresionin gjuhë zyrtare, sepse mbron me forcë korrupsionin etik të intelektualit në politikë dhe korrupsionin ekonomik të qeveritarit në qeverisje. Pra, nuk është fjala se intelektuali që del dhe kërkon votën dhe thotë se ai është garant i një shoqërie të së drejtës, së paku i një shoqërie humane, me gishtat e tij, ngreh dhe mban piramidën e korrupsionit dhe që nuk është krejt e keqja këtu, po ai kurrën e kurrës nuk e pranon përgjegjësinë për veprimet dhe vendimet e tij në dëm të të tjerëve. Nuk janë fajtorë në Kosovë si shkruhet vazhdimisht për gjendjen korruptive vetëm “komandantët”, por po kaq janë edhe intelektualët. Së paku në jetën publike e kanë këtë status identifikues-intelektualë.
Këta intelektualë nuk e kanë shumë për qejf të marrin mësimin, që njihet nga intelektualët në politikë dhe të cilin që Platoni në Greqinë e Vjetër e ndërtoi me tezën e “prioritetit të shpirtërores ndaj trupores” po edhe të “shoqërores ndaj individuales”, duke krijuar kështu “sferën sociale-morale në marrëdhënien e individit me shtetin”. Etika tij e shtirur individualiste perfeksionohet dhe plotësohet përmes “ idesë së harmonisë së njeriut me shtetin”. Intelektuali aktual në politikë në Kosovë, në kundërshtim me tezën e Platonit, ndihmon krijimin e harmonisë së mrekullueshme të politikës me korrupsionin.
Intelektuali johuman në politikë është një homodupleks, mu për shkak të tendencës për të fshehur kompleksin e përjashtimit. Ndryshe vepron si zyrtar, plotësisht në vijë me trendin dhe përfitimet personale (familje, fis, mëhallë), ndryshe provon të paraqitet në jetën e përditshme, me miqtë e vjetër që mund t’i takojë rastësisht duke sharë krejt atë trend dhe duke përdorur edhe besën edhe nderin ( që nuk i ka fare më) se nuk është pjesë e tij, nuk është ndërtues dhe as shfrytëzues i të mirave të fëlliqura që sjell ai trend politik apo qeverisje e korruptuar. Ai nuk pranon se nga një qëndrim oportun, të përshtatjes me procesin “ e madh” ndikon që rezultati i korrupsionit etik të krijojë “shpenzime të mjeteve të mëdha buxhetore për llogari qeveritarësh dhe zyrtarësh, ndërkohë që pakësohen shumë mjetet për kulturë, arsim shëndetësi”(Kregar)
…
Intelektuali i korruptuar thotë se është kontribuues në një proces ndërtues të demokracisë. Por modeli i demokracisë së tij është fotografia e kornizuar me pamje negative për gjithë të tjerët dhe me drita shkëlqyese për veten dhe akrabatë e tij. Të shumtën e herëve qytetari apo edhe shoqërorja është e përjashtuar nga mundësia e ndikimit. Po qytetari ka përgjegjësinë? Kur kërkohet vota, një nga frazat e stërpërsëritura është « në qeverinë e ardhshme qytetari do të participojë, do të jetë faktor». Nëse ky qytetar participin në vendosjen politike duke qenë në zgjedhje dhe ka prodhuar një korrupsion drastik që identifikon të votuarin e tij (intelektual të korruptuar), atëherë kush është fajtor? Qytetari votues apo i votuari intelektual i korruptuar? Çështja nuk duket e zgjidhshme lehtë. Konsekuencat e një votimi të korruptuar, kështu i bart gjithë një mandat qytetari, i cili nuk ka mundur të njohë drejt mentalitetin e vërtetë të të korruptuarit politik, veçmas atë të të korruptuarit etik. Korrupsioni etik mund të zbutet nëse nuk «votohet për ata që janë të korruptuar».
Njohës të mirë të korrupsionit, vlerësojnë se dallimi nga një shoqëri në shoqërinë tjetër, në kontekst të kësaj dukurie qëndron në faktin se në vendet kur respektohet ligji dhe ndëshkohet bartësi i korrupsionit, kemi të bëjmë me korrupsionin-incident. Rastet e tilla janë shumë të ndëshkueshme. Dhe është kjo përvoja tjetër jona, në të cilën korrupsioni i thellë ekonomik, mbuluar me dekorin etik intelektual në foltore, fiton të drejtën e plotë qytetare. E vërteta dhe sinqeriteti në një shoqëri ku nuk përgjigjet askush për asgjë, janë të pavlera edhe po dëshiroi dikush t’i kujtojë apo edhe t’i instalojë duket më shumë i marrë dhe qesharak.
Në fund të fundit, korrupsioni, zhvillohet dhe rritet në llogari të shkatërrimit të vlerave morale, por për vlera të tilla bëhet fjalë nëse ato vërtetë ekzistojnë, apo njihen nga shumicë e një shoqërie. Nëse ato nuk njihen, atëherë kush duhet të veprojë? Ligji? Po ligji është vetë zyrtari i pushtetshëm? Sa më i pushtetshëm të jetë zyrtari ( edhe intelektuali johuman) në një shoqëri, aq më pak liri dhe drejtësi do të mund të gjendet në te.