Blerim Devolli në mesin e 17 oligarkëve të dyshimtë në Europën Juglindore të lidhur me politikën (Foto)

E publikuar: 09/12/2017 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Biznesmeni kontrovers dhe pronari i shumë fabrikave dhe pronave në Kosovë, Blerim Devolli është renditur në mesin e 17 oligarkëve të dyshimtë të Europës që është i lidhur ngushtë me politikën.

Deputeti Albin Kurti pati thënë në Parlament se pasuria e Devollëve ka ardhur për shkak të lidhjeve të tyre me politikën. Gjatë verës, Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte zënë duke pirë “Coca Cola Zero” në Jahtin e Devollëve.

Për Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ostpol.de, Revista e Evropës Lindore, ka pyetur 17 gazetarë hulumtues që të prezantojnë oligarkët, magnatët apo manjatët që po formojnë fatin e vendeve të tyre nga prapaskena.

Në mesin e 17 oligarkëve të Europës Juglindore janë Shkëlqim Fusha (i pari në listën e uebfaqes) nga Shqipëria, i cili ka një kompani ndërtimi dhe Blerim Devolli (i teti në listë), pronar i “Devolli Group”, shkruan Gazeta Express.

Në përshkrimin e uebfaqes për Shkëlqim Fushën, në mes tjerash thuhet:

“Shkëlqim Fusha ka një profil të ulët politik. Ai zotëron “Fusha SH.P.K”, një kompani ndërtimi. Kur Erion Veliaj u bë Kryebashkiaku i Tiranës në vitin 2015, kompania Fusha filloi të fitonte gjithnjë e më shumë tenderë publik, në thelb pa asnjë konkurs”.

Kurse për Blerim Devollin, uebfaqja shkruan:

“Blerim Devolli është vetëm 45 vjeç, por ai lirshëm mund të përshkruhet si oligark i politikës së Kosovës. Ai u lind në Pejë, një qytet kufitar i Kosovës dhe zotëron kompaninë “Devolli Group” që filloi në vitin 1990 si një biznes i vogël nga babai i tij, kur Kosova ende ishte nën regjimin e Sllobodan Millosheviçit. Që atëherë, Blerimi dhe vëllai i tij më i vogël Shkëlqimi, kanë ngritur një aktivitet ekonomik duke filluar nga shitja e miellit e deri tek industria e birrës, nga homologimi i veturave të importuara nga jashtë e deri tek terminalet doganore, nga privatizimi i fabrikave të vjetra e deri tek importimi i kafesë.

Gjatë fushatave, kompanitë e Devollve janë donatorë për pothuajse të gjitha partitë politike kosovare, por lidhjet më të forta të tyre kanë qenë vazhdimisht me PDK-në, partinë e Presidentit Hashim Thaçi. Devolli zotëron gjithashtu edhe një jaht që parkohet në bregdetin e Malit të Zi, në pronësi të Milo Gjukanoviçit” – Në një jaht të tillë, gjatë kësaj vere, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes kishte qëndruar me Blerimin. Kishte thënë se në jaht kishte pirë Coca Cola Zero.

Të tjerët oligarkë në listë janë edhe Gagik Tsarukyan, Anëtar i Parlamentit në Asamblenë Kombëtare të Armenisë, Anar Mammadov, djali i ish-Ministrit të Transportit në Azerbajxhan, Nijaz Hastor, punëdhënësi më i madh privat në Bosnje dhe Hercegovinë, Delyan Peevski, deputet në Parlamentin e Bullgarisë, Bidzina Ivainshvili, miliarderi gjeorgjian, Lorinc Meszaros, mik i kryeministrit hungarez Viktor Orban, Aivars Lembergs i grupit “tri A” në Latvi, Jordan Kamchev, njeriu më i pasur në Maqedoni, Vladimir Plahotniuc, i Partisë Demokratike në Moldovë, Milo Dukanoviç, ish-Kryeministri dhe Presidenti i Malit të Zi, Dan Voiculescu i Rumanisë, Alisher Usmanov, njeriu i pestë më i pasur në Rusi, Miroslav Miskoviç, miliarder serb dhe pronar i Kompanisë “Delta”, Bojan Petan, ish-drejtor i agjencisë së inteligjencës sllovene dhe Rinat Akhmetov, njeriu më i pasur në Ukrainë. /Express/