Nga Imer Mushkolaj
Mund të quhet, thënë më së buti, ironike mënyra se si zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) përpiqen dëshpërimisht të tregohen ashtu çfarë nuk janë. Kur dëgjon ata teksa përpiqen të hedhin fajin tek të tjerët për mosliberalizimin e vizave, secilit i vjen ta pyesë veten se si të paktën nuk ndihen keq, marrë parasysh se është presidenti i tashëm i vendit, ish-lideri i partisë, Hashim Thaçi, ai i cili qysh para shtatë vjetësh, saktësisht më 27 dhjetor 2010, kishte premtuar se kosovarët do të lëvizinin të lirë brenda pak më shumë se një viti.
“Ju siguroj dhe garantoj sot, juve qytetarë, se vetëm për 15 muajt e ardhshëm nga janari i vitit të ardhshëm të gjithë qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në gjithë Evropën. Për Kosovën, për qytetarët e Kosovës, do të ketë liberalizim të vizave dhe ky nuk është premtim elektoral, por është premtim i Brukselit për mua në takimet që i kam zhvilluar me autoritetet e Brukselit”, pati thënë Thaçi.
Kur Thaçi e kishte dhënë këtë premtim as flitej për demarkacionin me Malin e Zi, e as për këtë proces si kusht për liberalizim. Ai, madje, edhe vitin 2013 e kishte proklamuar si vit të liberalizmit të vizave, gjë që nuk kishte ndodhur. Problemi me demarkacionin u shfaq pasi Thaçi më 2015, në cilësinë e ministrit të Jashtëm, e nënshkroi marrëveshjen në Vjenë.
Andaj, kur zyrtarë të PDK’së përpiqen të fajësojnë të tjerët për vizat, është mirë që të kthejnë memorien prapa për disa vjet dhe të japin përgjigje se pse ish-lideri i tyre partiak nuk e përmbushi zotimin e dhënë. Ndryshe, gjithçka tingëllon hipokrizi e kulluar.
* * *
Termi “vjedhje industriale” ka të bëjë me zgjedhjet, me votat dhe me PDK’në. Viti 2010 në Kosovë mbahet mend për atë që u konsiderua “vjedhje industriale” e votave. Atëbotë, në Skënderaj kishte dalë të kenë votuar 120 për qind e votuesve. Por, keqpërdorime nuk kishin ndodhur vetëm atje.
Florim Shkreta ishte vetëm njëri ndër të dënuarit për mashtrim në ato zgjedhje. Sipas aktakuzës, ai në një qendër votimi të fshatit Seqishtë të Hanit të Elezit kishte zvogëluar votat e Hashim Thaçi e Fatmir Limajt, që atëherë ishin pjesë e PDK’së, ndërsa kishte shtuar votat për Azem Sylën e Hajredin Kuçin. Shkretën PDK e kandidoi sivjet për kryetar të komunës së Hanit të Elezit.
Por, pas rezultatit dëshpërues të partisë në zgjedhjet e sivjetme lokale, PDK u përpoq me çdo kusht që ta paraqesë si fakt të kryer se një parti rivale, Lëvizja Vetëvendosje, kishte vjedhur vota, pavarësisht se një gjë e tillë nuk ishte faktuar nga organet përkatëse. Por, e rëndësishme për PDK’në ishte që t’i njollos edhe të tjerët, t’i bëjë “të gjithë njësoj”, t’i shpall të gjithë hajna, në mënyrë që të arsyetohet se jo vetëm anëtarë të kësaj partie kanë vjedhur, por edhe për të arsyetuar debaklin e thellë para votuesve të vet dhe para opinionit në përgjithësi.
Këto përpjekje dështuan, gjë që i acaroi edhe më shumë zyrtarë të saj, të cilët nuk zgjedhin fjalë për të akuzuar rivalët politikë. Duket se nuk e kanë idenë sa hipokritë tingëllojnë.
* * *
Siç nuk e kanë idenë se sa të pabesueshëm shfaqen teksa flasin për kapjen e sistemit të drejtësisë nga parti rivale politike, atëherë kur institucione të pavarura nuk vendosin në favor të tyre pas kërkesave si ajo për rinumërim votash në Prizren.
Është tragjikomike të dëgjosh zyrtarë të PDK’së teksa viktimizohen duke thënë se sistemi i drejtësisë është kapur nga parti të caktuara politike, kur pikërisht kjo parti njihet për kapje shteti dhe një gjë e tillë është dëshmuar publikisht në përgjimet e “Dosjes së Shefave”.
Qytetarët kanë pasur rastin të dëgjojnë Adem Grabovcin dhe zyrtarë të tjerë të lartë partiakë se si funksionon skema e kapjes së shtetit, si funksionon qeverisja klienteliste e shtetit, si funksionon “Shteti i PDK’së”.
Secili që ka qenë i interesuar ka pasur rastin të dëgjojë se si këta zyrtarë të lartë të PDK’së propozojnë e zgjedhin edhe njerëz në sistemin e drejtësisë – sistem të cilin po zyrtarë të lartë të PDK’së tash po thonë se është kapur nga një parti tjetër. Nga një parti opozitare, e cila nuk ka qenë asnjëherë në qeverisje qendrore.
“Gjykata Supreme nxori si të pabazuara kërkesat tona për rinumërim votash, edhe pse ofruam argumentet tona në bazë të të cilave shihet qartë manipulimi me vota i bërë nga klani i hajnave terroristë të Partisë Vetëvendosje. Gjykata Supreme mbase edhe e ndikuar nga presioni publik që kjo parti klanesh terroriste ka bërë mbi anëtarët e saj anuloi rinumërimin e votave”, ka thënë Blerand Stavileci i PDK’së, teska nuk ka denjuar që t’i mvesh edhe epitete të tilla partisë rivale. Sipas tij, drejtësia “është e terrorizuar dhe e frikësuar nga terroristët e VV’së”.
Mbase do të ishin të besueshme këto akuza po të bëheshin nga njerëz që përfaqësojnë një parti kredibile. Por, PDK e ka humbur besimin dhe kredibilitetin, andaj viktimizimi i saj për të arsyetuar humbjen e rëndë në zgjedhje nuk është asgjë më shumë se hipokrizi. Hipokrizi humbësish. Hipokrizi njerëzish që bërtasin “kapeni hajnin” për të hequr vëmendjen nga vetja, ndërkohë që hajna janë vetë.