Çdo ditë na bie të flasim e komentojmë, ose edhe të shkruajmë për demarkacionin, për problemet që po na sjellë të gjithëve, madje edhe asaj shtrese që ndoshta nuk i ka as 50 cent në xhepin e saj ditor. E kjo klasë e jona politike dhe këta deputetë tanët të ndikuar nga politika, nuk brengosen fort se çfarë i dhemb kësaj shoqërie. Askush nuk po llogaritë një fakt të pamohueshëm se ne si shoqëri vetëm po jetojmë për të mbijetuar. Jetojmë me një perspektivë të zymtë, me mundësi punësimi qind për qind të kufizuara, po jetojmë ende me mungesë 5-6 orë të energjisë elektrike, me një status të pazgjidhur të mijëra njerëzve me pretendime sociale. Jetojmë për ta mposhtur të ligën e për t`i zënë vend e hapësirë të mirës, pozitives. I shihni ose i vrojtoni njerëzit teksa ecin nëpër qytet të shkapërderdhur, të hutuar, pa asnjë element të shëndoshë që mund ta gjejnë në këtë Kosovë. Ka shumë përgjigje rreth këtyre dilemave dhe Evropa nuk ka asnjë arsye për ta degraduar edhe më shumë trurin e lodhur e të rraskapitur të shqiptarit më pro evropian në këtë planet.
Demarkacioni do të përfundojë disi, keq ose mirë, në dëm ose në dobi të Kosovës. Mbetet të shihet, por ky nuk është problemi kryesor e as esencial për shoqërinë kosovare. Në fakt është njëri nga mijëra probleme që i ka të grumbulluara e të pazgjidhura shoqëria kosovare.
Askush nuk po e lodh kokën për të logjikuar shëndetshëm, se ku jemi dhe çfarë po na pret. E kam thënë edhe herëve tjera se Bashkësia Ndërkombëtare e instaluar në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe SHBA-të dhe të gjithë miqtë tjerë që kemi, nuk kanë asnjë arsye që të bëjnë eksperimente me Kosovën, me trurin tonë tashmë të bllokuar.
Shpesh dëgjoj këtë elitën e politikanëve tanë teksa thonë “Kosova Evropiane”. Po ku po e shihni atë erë të Evropës, kur asnjë zhvillim apo progres të qëndrueshëm nuk po e shohim ne ? Është e rëndë ta thuash, por ne si shoqëri, fatkeqësisht, po jetojmë sot për nesër, ose po jetojmë për të mbijetuar.
Nuk jam mohues i asaj që ka ndodhur tash e sa vite në Kosovë dhe për Kosovën. E di që ka edhe momente të mira, ama jemi lodhur, jemi ngopur edhe nga Evropa dhe nga klasa
kosovare e papërgjegjshme. Diku kah viti 2022 mund të ndodhë liberalizimi, sepse edhe po të kryhet tani demarkacioni, Evropa ka projekte rezerve për të testuar tutje durimin tonë.
I shihni kërkesat e serbëve të Kosovës dhe të vet Serbisë sa bëhen të fuqishme dhe sa shpejt nga Evropa merren me seriozitet, kurse propozimet e palës kosovare merren me rezervë dhe madje me një përbuzje të skajshme.
Unë asnjëherë në jetën time nuk kam ndjellë as urrejtjen më të vogël ndaj asnjë komuniteti, madje jam ndër të paktët që kam kontribuar që Kosova të jetë e barabartë për të gjithë.
Por kjo maksimë e kosovarëve është keqpërdorë nga Bashkësia Ndërkombëtare. Evropa dhe SHBA-të duhet ta dinë se serbët na vranë, na dhunuan, na masakruan, na dogjën shtëpi e njerëz të gjallë, dogjën dëshmitë, na vranë të ardhmen e fëmijëve tanë, na ndalën ëndrrat, na ndalën rritën, na lanë mbrapa me vite, na morën territor e çka nuk na bënë. Po kjo Serbi e këta serbë kurrë në jetën e tyre nuk kërkuan falje (kuptohet me ndonjë përjashtim), kurrë dhe pothuajse asnjëherë nuk tentuan të dënojnë fajtorët. Kjo është vetëm pjesa fillestare e pas luftës.
Tutje. Janë këta serbë e kjo Serbi që po e pengojnë shtetin e Kosovës, po e pengojnë krijimin e institucioneve tona, po e pengojnë Kosovën e lirë dhe po i pengojë serbët e Kosovës të jetojnë të lirë e të pa penguar.
Më tutje. Kjo Serbi e këta serbë, vazhdimisht punojnë kundër Kosovës, që ajo mos të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë, vazhdimisht punojnë kundër projektit që tashmë e kanë instaluar në Kosovë miqtë tanë, SHBA dhe shtetet evropiane. Janë këta serbë e kjo Serbi që ndjell terr e zi për Kosovën dhe që i gëzohet mos suksesit të Kosovës, në vend se të jetë e kundërta. Sepse një Kosovë paqësore dhe stabile, është parakusht edhe për një Serbi, pa probleme ndërfqinjësore.
Janë këta serbë dhe është e njëjta Serbi që flet për integrimin e serbëve e në anën tjetër i pengon ata që të punojnë lirshëm në institucionet kosovare.
Atëherë, ku është morali i bashkësisë ndërkombëtare, që ta përkund Serbinë dhe serbët e Kosovës. Ku po mbetemi ne shqiptarët që jemi mbi 90% e që po sakrifikohemi për së gjalli për teket e Serbisë. Ku është morali i kësaj Evrope që i jep kohë Serbisë të tallet me shqiptarët.
Jam ndër të shumtët kosovarë që jam angazhuar që serbët të integrohen, të jetojnë të lirë, të jetojnë pranë familjeve të tyre në Kosovë, të jetojnë pranë fëmijëve të tyre dhe të bëjnë jetën normale, si çdo qytetar tjetër. Por, kursi që kemi ndjekur po tregohet i dëmshëm, i pamëshirshëm ndaj nesh, ndaj Kosovës e ndaj shqiptarëve.
Bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA-të duhet ta kuptojnë se ne jemi mbështetur për muri, se ne jemi të lënduar deri në palcë dhe njëkohësisht jemi të zhgënjyer, të fyer, të demotivuar për të bërë hapa tjerë në favor të serbëve të Kosovës e Serbisë, si shtet fqinjë.
Ne, pra shqiptarët e Kosova, kemi dhënë maksimumin për një Kosovë multietnike, pavarësisht çmimit të madh që kemi paguar. Mos e përbuzni këtë çmim e këtë mirësi tonën! Jemi lodhur dhe, çka është mjaft, është mjaft.
Në këtë vargun e heshtur dhe të një Kosove të izoluar, po punojnë, fatkeqësisht, edhe disa kosovarë dhe disa politikanë që për inate personale janë në gjendje ta shkatërrojnë deri në maksimum të ardhmen e Kosovës dhe të shoqërisë kosovare.
Mjaft më !