Hoxha: Rruga e Kosovës është e qartë, anëtarësimi në BE

E publikuar: 05/12/2017 12:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në seminarin me temë “Rëndësia e politikës së jashtme dhe të sigurisë Drejtimi i vendeve aspiruese me CFSP të BE-së: Sfidat dhe mundësitë” ka thënë se për Kosovën, rruga është e qartë, anëtarësimi në BE.

“Ne jemi të vetëdijshëm se procesi është sfidues dhe kërkon shumë punë dhe reforma për t’u ndërmarrë dhe Qeveria e Kosovës ka shprehur angazhimin e saj për këtë rrugë përpara”, thuhet në njoftimin për media.

“Përfshirja e më shumë vendeve në familjen evropiane do t’u mundësojë vendeve të tilla që të arrijnë jo vetëm reformat në ekonomi por edhe forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Politika e zgjerimit të BE duhet të shihet si një mekanizëm për ta bërë familjen e BE më të plotë dhe më të qëndrueshme”.

“Në këtë drejtim, ne presim që institucionet e BE-së do të sigurojnë një rrugë të qartë të Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në perspektivën e BE. BE duhet ta konsiderojë zgjerimin si një mundësi për të bashkuar të gjitha vendet e Evropës, pasi që në këtë fazë uniteti duket më i rëndësishëm se kurrë”.

Ministrja Hoxha ka theksuar se janë të vetëdijshëm për shumë sfida me të cilat ballafaqohet BE, duke treguar se puna e institucioneve të BE-së është shumëdimensional.

“Është e qartë se BE duhet të përqendrohet më shumë në forcimin e politikës së saj të përbashkët të jashtme dhe sigurisë”.

“Ndërsa duke folur për forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, Ministrja ka vënë në pah se forcimi i sundimit të ligjit dhe sigurisë së brendshme është detyra kryesore e Kosovës në veçanti dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi”.

“Vetëm duke forcuar sigurinë e brendshme mund të shpresojmë për një bashkëpunim më efektiv midis vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”.

“Në këtë proces ka shumë sfida dhe mundësi, institucionet e Kosovës dhe të BE-së duhet të punojnë së bashku për të kapërcyer sfidat dhe për të përdorur mundësitë duke filluar me BE-në duke ri-theksuar perspektivën e Kosovës në BE, si e vetmja rrugë përpara”, deklaroi në fund ministrja Hoxha.