Por sot Rudina na rrëfen pak më në thellësi për jetën dhe angazhimet e saj në emisionin “Chic” në News24. Që nga marrëdhënia e saj me bashkëshortin, vajzën, deri tek profesioni dhe sekretin se si ja del me aq shumë angazhime por pa doreza, siç ajo e ka zakon. “BalkanWeb” sjell intervistën e saj.
Je nënë, e ke vajzën 11 muajshe dhe je gjatë gjithë kohës në prova, me xhirime, në teatër. Si arrin ta menaxhosh kohën?
Vetëm dje kishim pushim nga provat e kërcimit dhe më beso po kaloja në depresion, po thosha çfarë do bëj unë tani. Kisha filluar ta organizoja kohën me të tre angazhimet e mia në mënyrë perfekte. Këtë jo se jam ndonjë njeri i jashtëzakonshëm por se Aleksi, partneri im më ndihmon jashtëzakonisht me gocën. Duke qenë se ai nuk e ka problem fare të kujdeset për të çdo pasdite, unë kam qenë në shtëpi në një kohë shumë cilësore me vajzën. Për sa kam ndenjur me të kam qenë 100% e saj. Unë telefonin madje nuk e hap në shtëpi sepse kujdesem për Viktorian. Pjesa tjetër e ditës është organizuar në mënyrë perfekte. Duke qenë gjithandej me orar, më ka ndihmuar të jem shumë strikte.

Çelësi i suksesit është të ruash oraret, ja ke dalë?
Ja kam dalë.
Sot erdhe me vonesë…
Erdha me vonesë se më grimoi Ana. Më morën në dorë gocat në palestër.
Kush janë gjërat që bëni zakonisht me vajzën, sigurisht që ajo është e vogël, nuk e di a i ka hedhur hapat e parë…
Kështu duke u mbajtur. Viktoria ushqehet akoma me gji dhe sa më sheh fut dorën tek bluza. Tani ka filluar gjen syrin, gojën e bufit tek jastëku. E pyet ku është babi, drejtohet tek i ati.
Kush është më i preferuari i Viktorias?
Babi është. Pasi pi mirë e mirë shkon tek babi.
Më the që Aleksi të mirëkupton. Bashkëshorti jot është i lidhur me këtë botën tënde?
Jo e dashur. Im shoq është inxhinier mekanik, ka një servis të vetin, aty ku e njoha unë se mu prish makina. Ai në fillim s’ma varte fare, e gjuaja unë. Mua më prishej pak si shpesh por ai e rregullonte shpejt. Aleksi s’ka lidhje fare por më ka kuptuar që në fillim. Unë kisha një periudhë pauze që Aleksi e shijoi shumë për të udhëtuar se vdes për udhëtime.
Në momentin që më erdhën këto angazhime, unë i pranova sigurisht duke u konsultuar me të dhe ishte shtytësi kryesor që unë t’i merrja përsipër.
Është e rëndësishme që në një punë si kjo të kesh dikë që të mirëkupton. Për gjithë vëmendjen që merr nga media, për gjithçka që shkruajnë portalet, për çdo lloj arritje por dhe abuzimi që mund të bëhet me ermin tënd.
Aleksi madje është ironizuesi kryesor i abuzimeve që bëhen. Ai shkrihet kur dëgjon diçka për mua, e thënë kjo në portale apo underground. Jo vetëm me ato që thuhen edhe ato të pathëna, Aleksi është ironizuesi kryesor. Është ai që më bën mua t’i marr gjërat me sportivitet.
Dhe kjo është gjë shumë e mirë…
Unë e falënderoj Zotin që kam një marrëdhënie kaq të mirë me të, shpresoj të mbajë sa më shumë. Unë i them Aleksit gjithmonë sillu mirë se je në nominim.
E pranon ai sfidën e nominimit?
Aleksi ka një vetëbesim të frikshëm dhe nuk besoj se e lëkund kjo gjë. Të paktën nuk e jep veten përballë meje. Nuk besoj se ka nevojë për këtë shprehje se ka sjellje shumë të natyrshme. Më ka kuptuar që ditën e parë që jemi njohur. Ne u njohëm me kushtin tim që unë të mos kisha asnjë lidhje serioze. I thashë dëgjo se nuk kam nerva për lidhje serioze. Me mua je sot, nesër mos i bjer telefonit, pastaj i radhë vetë telefonit dhe që ditën e parë që ndenjëm, nuk u ndamë më kurrë.
Kjo është vërtetë një deklaratë dashuria, që ditën e dytë ti…
Unë ditën e dytë e mora vetë në telefon. Ai ishte i sigurt që do ta merrja se kjo siguri e mban gjallë. Ashtu ndodhi.

















