Google prezantoi ditën e sotme një aplikacion të ri me të cilin mund të mësoni, kontrolloni dhe kurseni pakon e internetit mobil.
Datally gjurmon në kohë reale konsumin e të dhënave dhe ofron rekomandime të personalizuara për kursimin e tyre shoqëruar me njoftime sa herë që gjendeni pranë një pike aksesi Wi-Fi.
Në një postim në blog, Google tha se kishte testuar në muajt e fundit aplikacionin në Filipine dhe përdoruesit kishin arritur të kursenin deri në 30% të pakos së internetit.
Përdoruesit mund të analizojnë konsumin mbi baza ditore, javore dhe mujore. Kur aktivizoni “Data Saver” aplikacioni menjëherë bllokon konsumin e të dhënave në sfond si dhe gjurmon në kohë reale konsumin e secilit prej aplikacioneve.
Me një të shtypur butoni mund të bllokoni menjëherë çdo konsum të dhënash nga aplikacionet.
Datally vjen si pjesë e nismës së “Next Billion Uers” të Google, një iniciativë e fokusuar në krijimin e produkteve për vendet me akses të kufizuar në internet. Aplikacioni është i disponueshëm globalisht. /PCWorld Albanian
Shkarkoni Google Datally