Anëtari i kryesisë së PDK’së, Blerand Stavileci, së bashku me pëfqësuesin e partisë në KQZ, Blerim Gjoshin dhe kryetarin e degës në Prizren, Kujtim Gashin, ka mbajtur një tjetër konferencë për media, pët të denoncuar parregullësitë që, sipas tyre, kanë ndodhur gjatë balotazhit në Prizren.
Stavilecia ka vazhduar të akuzojë Vetëvendosjen për manipulime në rundin e dytë të zgjedhjeve në Prizren, ndërsa për këtë, ai pohon se kanë fakte të cilat do t’i dorëzojnë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, transmeton Express.
“Ne do t’i ndjekim të gjitha rruget ligjore për të denoncuar ato përsëri me mjete juridike sic do ta bëjmë edhe sot në PZAP në mënyrë që mbrohet vullneti i qytetarëve të Prizrenit”, ka thënë Stavileci.
Ai thotë se PDK ka fakte në të cilat Vetëvendosje ka përdorur ‘trenin bullgar’ në ditën e zgjedhjeve.
Sipas Stavilecit, kundërshtimi i Vetëvendosjes për t’i rinumruar votat në këtë komunë, tregon frikën që kjo parti ka nga rezultati që mund të dalë dhe është një tjetër sinjal i manipulimeve të tyre.
Ai përmend akuzat që LVV ka bërë gjithmonë ndaj partive tjera dhe veprimet që janë ndërmarrë qoftë edhe për parregullësitë më të vogla në zgjedhje të tjera, ndërsa shton se e njëjta duhet të ndodhë edhe me LVV.
Përderisa Stavileci kërkon me ngulm rinumërim të votaave, përfaqësuesi i PDK’së në KQZ, Blerim Gjoshi, zgjeron kërkesat e këtij subjektit. Ai thotë se Prizreni duhet të shkojë në rivotim.
“Në Prizren ka pasur manipulim të procesit zgjedhor. Është vërtetuar gjatë numërimit të votave me kusht në QNR, ku kanë munguar tri fletëvotime. Do të thotë që këto janë përdorur për fenomenin e trenit bullgar, për të ndryshuar vullnetin e qytetarit. Ka dëshmi të shumta që në Prizren ka pasur devijim të vullnetit qytetar. Persona të ndryshëm, që nuk kanë pasur të drejtë kanë qenë pjesë e procesit zgjedhor. Kemi plot fakte për këtë gjëra, të cilat do t’ia dorëzojmë PZAP-it. Ne i bëjmë thirrje PZAP-it që në mënyrë të drejtë të administrojë krejt materialin që kemi dorëzuar. Mendojmë që e vetmja zgjidhje është të cohet vullneti i qytetarëve në vend, rrjedhimisht rivotimi në Prizren. Ne nuk i frikësohemi asnjëherë procesit zgjedhor”.


















