Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të punojë shumë që të ndihmojë bizneset, në mënyrë që ato ta ndjejnë qartë dorën e shtetit dhe të mund të jenë konkurruese në tregun vendor, por edhe në atë të jashtëm.
“Prodhuesi i Kosovës nuk do të jetë më vetëm do të jemi partnerë, sepse Qeverinë e vendit e ka në krah. Duhet zhvilluar dialog me prodhues e fermerë për të kuptuar saktë se cilat veprime me duhen ndërmarrur në lehtësimin e prodhimit dhe për t’i bërë produktet tona konkurrente. Jemi të gëzuar që ndër veprimet tona të para kanë qenë lirimi prej tatimit për lëndën e parë për derivatet që hyn në fuqi tash shpejt”.
Ndërsa, Agim Bahtiri, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka kërkuar përkrahje nga institucionet duke falënderuar Haradinajn për ndryshimin e politikave fiskale.
“Ne jemi vazhdimisht në kontakt me publikun sepse jemi të parët që bëjnë përpjekjet për prodhimin vendor. Në 2003 me Ibrahim Rugovën bëmë moton ‘Konsumo prodhimin vendor’. Më pas AKB ndryshoi formën e promovimit. Kjo është aleanca juaj për të bëtë përpjeke me moton ‘Unë konsumoj prodhime vendore’. Ne kërkojmë nga institucionet të reformohen politikat. Ju z.kryeministër kishit guxim për ndryshimin e politikave fiskale”.



















