Ish-anesteziologu i “Medicus” thotë se ishte pjesë e ekipit që kreu transplantimin e veshkave

E publikuar: 29/11/2017 13:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-anesteziologu i klinikës “Medicus”, Islam Bytyqi, ka deklaruar se ai në disa raste ka marrë pjesë në transplantimin e veshkave, gjatë kohës sa ka punuar në këtë klinikë.

Këto deklarata, Bytyqi i ka dhënë në vazhdimin e rigjykimit të rastit “Medicus”, në të cilin mjeku Lutfi Dervishi, bashkë me anesteziologun Sokol Hajdini, akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me transplantim të veshkave.

Ai ka thënë se në këtë klinikë ka punuar nga viti 2006 deri më 2008, derisa thotë se në “Medicus”, kishte shkuar me propozimin e Sokol Hajdinit, pasi sipas tij, ky i fundit ka qenë shef i anesteziologut në QKUK, ku kanë punuar së bashku nga viti 2001.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Valeria Bolici, Bytyqi ka deklaruar se në gjashtë raste ku janë bërë ndërhyrje kirurgjike, ai ka marr pjesë në ekipin e mjekut turk, Jusuf Sonmez, të cilin thotë se për herë të parë e ka takuar në këtë klinikë.

Në deklarimin e tij, ai ka mohuar që në këto ndërhyrje, në të cilat ka marr pjesë, pacientëve u janë hequr veshkat, mirëpo sipas tij, është bërë vetëm transplantimi i tyre.

“Kanë qenë përafërsisht gjashtë operacione, prej asaj kohe deri sot unë kam marrë pjesë në 3000-4000 ndërhyrje tjera gjatë punës sime”, ka deklaruar Bytyqi.

Ai ka shtuar se pacientët të cilët kanë qenë pjesë e transplantimit të veshkave, nuk kanë qenë nga Kosova, por nga vendet e tjera dhe ka thënë se ai asnjëherë nuk ka pasur rast të bisedojë me ta.

Prokurorja e ka pyetur atë, nëse ka qenë dikush prej ekipit që është takuar me pacientët para transplantimit të veshkave, Bytyqi ka thënë se ekipi i anesteziologëve janë informuar 1 orë ose 1 ditë përpara që kanë për të kryer një transplanitim.

“Sepse kemi punu gjysmë orari, sigurisht dikush prej nesh ka bisedu me ata, por unë jo. Dikush prej klinikës na ka tregu por kush nuk e di, po më duket që Nexhmedin Statovci na ka informuar por nuk më kujtohet pasi ka kaluar kohë e gjatë”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka deklaruar se kur janë informuar më herët lidhur me opercacionit, sipas tij, më pas kur kanë shkuar në klinikë e kanë kuptuar edhe për llojin e operacionit.

“Secili pacient e ka pasur një fletë pëlqim dhe aty ka qenë historia e pacientit, aty janë shkru të gjitha, ka qenë obligim i pacientit që ta plotësojë atë”, ka thënë tutje Bytyqi, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Bolici.

Ai gjithashtu është përgjigjur se nuk e ka parë momentin, nëse në të njëjtën kohë i janë nënshtuar operacionit edhe dhuruesi dhe pranuesi i veshkës.

Bytyqi është përgjigjur edhe në pyetjen ku i është kërkuar të tregojë për procedurat e operacionit që janë kryer.

“Ajo është pjesë që nuk me takon mu, ne ekipi jemi marrë vetëm më dhënien e anesteziologut, ne jeni ndarë në menyre fizike në pjesën e kirurgjisë. Neve nuk na lejohej me shku në atë pjesë”, ka thënë ai.

Bytyqi, ka thënë se nuk e din se si është bartur organi në dhomën e operacionit për tu bërë transplanitimi.

Sipas tij, infermierja Shpresa Makolli, ka asistuar në ekipin e mjekut turk, Jusuf Sonmez.

Ai ka thënë se gjithashtu e ka njohur edhe dr. Kenani, që sipas tij, ka qenë turk, mirëpo që nuk e ka ditur rolin e tij në këtë klinikë. “Sipas të gjitha gjasave ka marrë pjesë edhe në operacione edhe të dr.Somnezit”, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij, në këtë ekip, kanë qenë dr. Sonmezi, dr.Kenani dhe dr.Dritoni, e herë pas herë edhe dr.Lutfiu. Ai ka thënë se Lutfi Dervishi, ka intervenuar në sallën e operacionit. Duke u përgjigjur lidhur me punën e tyre si anesteziolog, Bytyqi ka thënë se për çdo pacient kanë mbajtur shënime.

“Obligim i anesteziolog është pergatitja e barnave, kontrollimi i aparatit për anesteziolog, administrimi i barnave, për me shti pacientin në anesteziolog. Në regjistër gjatë çdo operacioni kemi pasur listën ku është shkru koha e fillimit të anesteziologut, kohëzgjatja, koha e administrimit të barnave si dhe janë përshkru parametrat vital. Shkruhen edhe emrat e atyre që kanë marrë pjesë si dhe emrat e kirurgëve qe kanë marrë pjesë”, ka thënë ai, duke shtuar se në regjistër janë përfshirë edhe natyrat e operacioneve që kanë marrë pjesë.

Seanca është duke vazhduar.

Gjykimi maratonik i rastit “Medicus”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010, dhe janë konfirmuar me 27 prill 2011.

Shqyrtimi kryesor për këtë rast filloi më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe 17 prill 2013, u bë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.

Pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 shpalli verdiktin final për këtë rast. Sipas aktgjykimit Lutfi Dervishi u dënua me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “trafikimit me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të njëjtit i’u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë. Ndërkaq i njëjti u lirua nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.

Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini u lirua nga akuza për “krim të organizuar”, por u dënua për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti. Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, u refuzuan.

Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla u shpallën fajtorë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe u dënuan me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre u refuzua akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.

Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj u shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” u refuzua. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.

Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore urdhëroi mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.

Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 6 nëntor 2015 ka shpallur aktgjykim, sipas të cilit vërtetohen dënimet e të pandehurve dhe lirohet objekti i klinikës “Medicus” me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre ka rritje të dënimit deri në dy vjet.

Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, dënohet me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”.

Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, u shpallën të pafajshëm nga shkalla e dytë.

Ky aktgjykim u ishte dërguar të gjitha palëve ndërmjet 25 shkurtit dhe 4 marsit 2015.

Më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kërkoi nga Gjykata Supreme të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti.

Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kanë parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme ka hedhur ankesën e Lutfi Dervishit si të palejuar.

Ndërkaq, me 20 shtator, kjo gjykatë mori aktgjykim lidhur me ankesat e parashtruara nga Sokol Hajdini dhe avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit Hajdini lirohet nga akuza e “krimit të organizuar”. Ndërkaq, iu vërtetua dënimi sa i përket veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, dhe kohëzgjatja e burgimit u ndryshua në tre vjet.

Kundër këtij aktgjykimi, më 2 nëntor 2016 dhe 30 nëntor 2016, Sokol Hajdini dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë paraqitur kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Sa i përket këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë gjithashtu kishte lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arban Dervishin, pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit, pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.

Ndryshe, emri i kësaj klinike kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty./Betimiperdrejtesi/